Lidhje

SHBA, Pakistan dhe sulmet me avionë pa pilot


Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif
Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif

Kryeministri i përkohshëm i Pakistanit do të shqyrtojë bashkëpunimin kundër terrorizmit me Shtetet e Bashkuara, pak pasi të marrë pushtetin

Kryeministri i përkohshëm i Pakistanit, Nawaz Sharif do të shqyrtojë bashkëpunimin kundër terrorizmit me Shtetet e Bashkuara pak pasi të marrë pushtetin. Një këshilltar i afërt i zotit Sharif i tha Zërit të Amerikës se qeveria e ardhshme do të kërkojë përfundimin e menjëhershëm të sulmeve amerikane me avionë pa pilot në territorin pakistanez në mënyrë që marrëdhëniet e mira mes dy vendeve të vazhdojnë në të ardhmen.

Asambleja e sapo zgjedhur Kombëtare do të emërojë të mërkurën zyrtarisht Nawaz Sharifin si kryeministrin e ardhshëm të vendit për një mandat të pashembullt të tretë sepse partia e tij politike, Lidhja Myslimane e Pakistanit gëzon shumicën në dhomën e ulët të parlamentit.
Në frontin e brendshëm, qeveria e ardhshme pritet të kërkojë mënyra për të ringjallur ekonominë duke u përqëndruar tek kriza energjitike me të cilën përballet vendi. Por kritikët thonë se zoti Sharif do të marrë gjithashtu masa urgjente për të zbutur marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara dhe të kërkojë përfundimin e menjëhershëm të sulmeve me avionë pa pilot në tokën pakistaneze, një angazhim që ai ndërmori gjatë fushatës elektorale.
Anëtari i parlamentit të ri dhe këshilltar i lartë i Lidhjes Myslimane të Pakistanit mbi politikën e jashtme, Khurram Dastagir Khan, i tha Zërit të Amerikës se partia e tij nuk do të humbasë kohë për të zgjidhur çështjen e sulmeve me avionë pa pilot, ndërsa shumë pakistanezë besojnë se sulme të tilla shkelin sovranitetin e vendit dhe ligjin ndërkombëtar.

“Këto sulme janë pjesë e krizës në politikën e jashtme të Pakistanit dhe një aspekt që ne do ta trajtojmë brënda pak ditësh në pushtet. Ne do të rivlerësojmë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit si dhe pjesëmarrjen e Pakistanit në këtë luftë gjatë 12 vjetëve të fundit. Ne jemi në një pozitë shumë të fortë se sulme të tilla duhet të marrin fund menjëherë.”

Sulmi më i fundit me avion pa pilot, të mërkurën e kaluar, vrau mes të tjerëve edhe Waliur Rehman Mehsud-in, zëvëndës kryetar i grupit taleban në Pakistan, një grup i shpallur i jashtëligjshëm. Ky ishte sulmi I parë me raketë pas fitores në zgjedhjet e 11 majit të partisë së zotit Sharif dhe në një deklaratë me shkrim ai shprehu zhgënjim të madh lidhur me sulmin.

Ish ambasadori pakistanez në Shtetet e Bashkuara, Maleeha Lodhi, thotë se qeveria e re do të ndodhet para një presion të madh publik nëse sulmet me avion pa pilot nuk marrin fund.

“Sulmi më i fundit amerikan nënvizon nevojën urgjente të sfidës që ka përpara kryeministri i ri Nawaz Sharif për t’u marrë me këtë çështje, i cili ka thënë publikisht se do të negociojë me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e këtyre sulmeve në territorin e Pakistanit. Pra mendoj se sulmi i fundit e bën këtë sfidë edhe më urgjente”.

Një javë pas atij sulmi, i dërguari i posaçëm amerikan për Pakistanin dhe Afganistanin, James Dobbins u takua me zotin Sharif, por asnjera palë nuk dha hollësi për median. Zoti Lodhi e cilësoi takimin si të rëndësishëm, veçanërisht nën dritën e tërheqjes së planifikuar të forcave amerikane dhe të NATO-s nga Afganistani deri në fund të vitit të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë sulmet me raketa të ligjshme dhe thonë se ato kanë dobësuar militantët e al-Kaidës dhe ata talebanë që angazhohen në sulme matanë kufirit kundër forcave amerikane dhe atyre të koalicionit në Afganistan. Sulmet me avionë pa pilot në Pakistan janë pakësuar ndjeshëm këtë vit dhe Presidenti Barack Obama, në një fjalim të rëndësishëm mbi politikën e kundërterrorizmit para një jave, njoftoi synimin amerikan për të kufizuar edhe më shumë sulme të tilla në të ardhmen.
Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh financiar i Pakistanit dhe bashkëpunimi në sektorë si ekonomia, shëndetsia, arsimi dhe energjia është shtuar gjatë viteve të fundit. Disa analistë thonë se meqë përparësitë e zotit Sharif janë ekonomike, ai ndoshta nuk do të prishë marrëdhëniet me Uashington duke pasur parasysh situatën aktuale.
XS
SM
MD
LG