Lidhje

Burimet minerare mund të ndryshojnë fatin e Afrikës


Minierë në Afrike

Minierë në Afrike

Të ardhurat nga mineralet, nafta dhe gazi mund të ndihmojnë shumë vende të financojnë ndërtimin e infratrsukturës

Në Afrikën nën-sahariane, shumë ekonomi po rriten me shpejtësi falë burimeve të shumta natyrore dhe bumit të mineraleve. Ekspertët e zhvillimit thonë se të ardhurat nga mineralet, nafta dhe gazi mund të ndihmojnë shumë vende të financojnë ndërtimin e rrugëve, urave, digave dhe objekteve të tjera të nevojshme të infrastrukturës. Në një raport të fundit të Komisionit për përparimin e Afrikës, një grup udhëheqësish me ndikim të biznesit dhe politikës, thuhet se pasuritë nëntokësore të kontinentit kanë një potencial të madh, por edhe sfidat janë të shumta.

Arsyet për optimizëm janë të shumta. Në Raportin për Përparimin e Afrikës, thuhet se minierat, gazi dhe nafta sjellin më shumë fonde sesa ndihmat, rreth shtatë herë më shumë. Kofi Anan, ish- Sekretari i Përgjithshën i Kombeve të Bashkuara dhe kreu i Komisionit për Përparimin e Afrikës, thotë:
“Imagjinoni një kontinent afrikan ku udhëheqësit përdorin pasurinë e mineraleve me zgjuarsi, për të financuar përmirësimin e sistemit shëndetësor, arsimin, sektorin e energjisë dhe infrastrukturën. Afrika ka naftë, gaz, platin, diamante, kobalt, bakër dhe shumë minerale të tjera. Nëse i përdorim këto burime siç duhet, ato do të përmirësojnë jetën e miliona afrikanëve”.

Një mënyrë për të përmirësuar jetët, do të ishte të viheshin më shumë fonde në dispozicion për shkollat fillore dhe tetëvjeçare. Raporti i UNESCO-s “Vëzhgimi i një Arsimi për të Gjithë” për vitin 2013, thotë se duke shpenzuar 20 për qind të të ardhurave shtesë në arsim, vendet me pasuri natyrore mund të arsimojnë gjysmën e 30 milionë fëmijëve në Afrikën nën-Sahariane që nuk shkojnë në shkollë aktualisht.
Por optimizimi errësohet nga probleme të shpërdorimit të të ardhurave dhe formave të tjera të korrupsionit, që nuk lejojnë fondet të shkojnë në thesaret e vendeve.

Drejtorja ekzekutive e Oxfam International, Winnie Byanyima, thotë se si rezultat, burimet e mundshme i anashkalojnë të varfërit.

“Në vitin 2011, eksportet e naftës dhe mineraleve nga Afrika, Azia dhe Amerika Qendrore dhe Jugore ishin mbi 1.4 trilionë dollarë. Kjo shumë është mbi 10 herë më e madhe sesa ndihma zyrtare për zhvillim që jepet për të njëjtat rajone. Ne mendojmë se nëse rrjedha e paligjshme e kapitalit do të ndalej, Afrika mund të financonte zhvillimin e vet, pa pasur nevojë për ndihmë nga jashtë”.

Raporti për Pëparimin e Afrikës përmend gjithashtu edhe një faktor tjetër që prek përdorimin e burimeve minerale për financimin e infrastrukturës dhe programeve sociale: marrëveshje biznesi të negociuara në mënyrë të tillë, që janë në favor vetëm të kompanive të mëdha ndërkombëtare.

“Konkurrenca mes qeverive për të tërhequr investime direkte është intensifikuar vitet e fundit. Këshillat nga Banka Botërore dhe FMN-ja, si edhe konkurrenca për të tërhequr një numër kompanish në industritë e mineraleve ka shkaktuar një garë të fortë, ku secili nga vendet inkurajohet të krijojë një klimë të përshtatshme dhe tërheqëse për këto kompani.”

Në shumë raste, kompanitë shtetërore dhe zyrtarët e qeverisë kanë bërë marrëveshje me investitorët e huaj për minerale dhe burime të tjera që janë nën vlerën e tyre në treg. Disa marrëveshje janë negociuar para shume vitesh, kur çmimet për naftën dhe mineralet ishin të ulëta dhe ishin bërë lëshimë për të tërhequr investime.
Sot, tregu ofron më shumë fitime dhe disa vende po i rinegociojnë kontratat. Raporti sugjeron hetime të pavarura me seanca publike për të rishikuar disa nga marrëveshjet.

Oxfam e nxit komunitetin ndërkombëtar që të marrë masa ndaj kompanive në vende që krijojnë mundësi për shmangie taksash dhe ku rregullat financiare janë minimale ose nuk ekzistojnë, dhe që shërbejnë për ta bërë më të lehtë korrupsionin, rryshfetet dhe transferimin e paligjshëm të parave.

Kreu i Komisionit për Përparimin në Afrikë Kofi Annan thotë se nëse menaxhohen mirë, burimet natyrore mund të mbështesin përpjekjet për uljen e varfërisë, të nxisin rritjen dhe të përmirësojnë standardin e jetesës. Alternativa do të ishte ajo që eskpertët e zhvillimin e quajnë “mallkimi i burimeve”, të ardhura që janë të destinuara për zhvillimin, por që përfundojnë në duart e politikanëve dhe biznesmenëve të korruptuar.
XS
SM
MD
LG