Lidhje

Senatorët kritikojnë ushtarakët e lartë për dhunën seksuale në ushtri


Komisioni i Senatit për Shërbimet e Armatosura mbajti dje seanca për dukurinë e dhunës seksuale në ushtri, pas një raporti të Pentagonit që arriti në përfundimin se gjatë vitit të kaluar janë shënuar deri në 26 mijë raste abuzimi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jerome Socolovsky njofton se senatoret kryesuan marrjen në pyetje të komandantëve më të lartë ushtarakë.

Sipas një dokumentari të kohëve të fundit, ushtria është e mbushur me raste dhune seksuale dhe një raport i Pentagonit tregon një rritje prej 35 për qind në rastet e “ngacmimeve të padëshiruara seksuale” në dy vitet e fundit.

Dokumentari dhe raporti, kanë zemëruar ligjvënësit, veçanërisht ato femra. Disa prej anëtareve të Komisionit të Senatit për Shërbimet a Armatosura kritikuan ashpër ushtarakët e lartë në seancë, të gjithë burra.

Kirsten Gillibrand është senatore e Nju Jorkut.

“Burrat dhe gratë që varen nga ju, e kanë humbur besimin që ju do të vendosni drejtësinë në këto raste. Ata kanë frikë të raportojnë. Ata mendojnë se do të humbasin karrierën e tyre. Ata druhen nga hakmarrja, apo se do të fajësohen”.

Senatorja Gillibrand ka paraqitur një projekt-ligj që do të lejonte rastet e dhunës seksuale të raportoheshin jashtë hierarkisë së ushtrisë.

Propozuesit e ligjit thonë se kjo praktikë është ndjekur nga forcat e mbrojtjes në vende aleate si Izraeali.

Por Shefi i Shtabit të Ushtrisë, gjenerali Raymond Odierno paralajmëroi se kjo do të dobësonte disiplinën.

“Nëse do të mendoja se heqja e komandantëve nga roli i tyre qendror i përgjegjësisë për t’u marrë me rastet e dhunës seksuale, do t’i zgjidhte këto krime brenda radhëve tona, do të isha mbështetësi më i fortë i kësaj ideje. Por heqja e komandantëve, apo çlirimi i tyre nga kjo përgjegjësim, nuk do të funksionojë”.

Ai u angazhua për krijimin e një ambjenti më të sigurt për gratë por tha se është e gabuar të përpiqemi “ta zgjidhim këtë problem me legjislacion”.

Kjo shkaktoi një reagin nga senatorja Claire McCaskill e Mizurit.

“Ka dy probleme. Së pari, ke nga ata që po kryejnë krime dhe së dyti duhet punuar për një mjedis pune ku të ketë respekt. Këto janë çështje të ndara. Më duhet t’ju kundërshtoj gjeneral Odierno, çështja e parë mund të zgjidhet përmes ndjekjes penale”.

Ajo kritikoi komandantët që fajësojnë sjelljen e të rinjve.

“Nuk po flasim për marrëdhënie seksuale. Po flasim për metoda sulmi dhe dhune seksuale, dhe përsa kohë që këto dy çështje ngatërrohen me njëra tjetrën, nuk do të keni sukses”.

Në komision dëshmoi edhe kapitenia e marinsave Anu Bhagwati, që tha se traditat seksiste janë të rrënjosura në ushtri.

“Ata shkojnë në klube striptizmi, shtëpi publike, lagje prostitutash si brenda Shteteve të Bashkuara dhe jashtë, janë të ekspozuar ndaj pornografisë së dhunshme, shakave me temë përdhunimesh dhe ngacmimeve verbale”.

Ushtria e pranon se po përballet me një epidemi të dhunës seksuale. Por komandantët shqetësohen se ligji që mund të dalë nga këto seanca do të minonte autoritetin e tyre.
XS
SM
MD
LG