Lidhje

Debat për një gazsjellës të ri në Nju Jork


Qyteti i Nju Jorkut ka në nëntokën e tij një rrjet gazsjellësi, pjesa më e madhe të cilit është mbi 20 vjeçar, që furnizon me gaz për gatim dhe ngrohje miliona banorë dhe biznese. Shumica e banorëve kanë menduar për një kohë të gjatë se përdorimi i gazit natyror është teknikisht i sigurt dhe pozitiv për mjedisin. Por pikërisht shqetësimet për sigurinë teknike të një linje të re të presionit të lartë që po ndërtohet në Nju Jork kanë nxitur protesta nga banorët e qytetit.

Njujorkezët protesojnë kundër linjës së re të naftës dhe gazit, duke përfshirë edhe një tubacion të presionit të lartë të firmës Spectra Energy që po ndërtohet për të furnizuar me gaz Manhatanin. Kathleen Thomas i përket "United for Action", e cila thotë se rreziku i shpërthimit është shumë i madh në këtë qytet me popullatë të dendur.

"Kjo është një zonë me popullatë shumë të dendur dhe është çmenduri ajo që po bëhet”.

Kundërshtarët i tremben një shpërthimi si ai i vitit 2010 në San Bruno të Kalifornisë, i cili la të vdekur tetë vetë dhe një krater rreth 122 metra të gjerë. Tubacioni i ri kalon nën Staten Island dhe në pjesë të Nju Xhërsit dhe Lumit Hadson, si dhe nën 15 blloqe banesash të lagjes perëndimore të qytetit të Nju Jorkut. Ai do të sjellë gaz natyror të prodhuar kryesisht me presion të lartë nga thyerja e shtresës shkëmbore të nëndheshme. Zyrtarët si kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, thotë se gazi është i nevojshëm dhe i sigurt.

“Nuk jam ekspert i tubacioneve apo i teknologjisë së tyre, por ne kemi rrjete tubacionesh që shtrihen në gjysmën e Amerikës. Nëse ato do të ishin aq që rrezikshme, ne do të kishim patur shumë zjarre”.

Nënkryetari i bashkisë, Caswell Holloway, ka shërbyer më parë si komisionar i mbrojtes së mjedisit.

“Ne e kemi shqytruar atë nga pikpamja e sigurisë teknike dhe ndikimit tek mjedisi. Rrjeti po ndërtohet me standardet më të larta të sigurisë”.

"Kjo është pronë publike, kjo është pronë publike”, thërrasin këta protestues.

Kundërshtarët, disa prej të cilëve janë arrestuar sepse kanë protestuar në vendin e ndërtimit, thonë se aksidente ndodhin pothuajse çdo javë në Shtetet e Bashkuara, megjithëse shumica në zona të pabanuara. Clare Donahue themeloi projektin Sane Energy, Energjia e Zgjuar, një nga grupet që kanë ngritur padi për të ndaluar zbatimin e projektit. Ajo thotë se kontrolli i zbatimit të rregullave të sigurisë teknike është difektoz.

“Janë 88 inspektorë për rreth 4 milionë kilometra tubacione. Mënyra kryesore e inspektimit është ecja përgjatë rrjetit për të parë nëse ka bar të tharë. Por tubacionet kalojnë edhe nën zona të betonuara, nën lumë, nën autostrada, nën trotuare, e të tjera. Në këto raste, si do ta përcaktojnë ata nëse ka rrjedhje?”.

Kundërshtarët janë gjithashtu të shqetësuar edhe nga prania e radonit, një gaz radioaktiv që është edhe më i concentruar se gazi natyror i shtresave shkëmbore. Ai shpërbëhet gjatë një periudhe dy javore, por frika është se kjo kohë nuk është e mjaftueshme para se gazi të mbërrijë në Nju Jork.

Al Appleton, ish komisionar i mbrojtjes së mjedisit, akuzoi zyrtarët në një forum të kohëve të fundit për neglizhencë lidhur me hetimin e çështjes.

“Niveli i radonit në gazin natyror mund të jetë nga 20 në 60 herë më i lartë nga ai ndaj të cilit ne jemi të ekspozuar tani. Kjo do të thotë se rreziku është tepër i madh për sëmundje të tilla si kanceri në mushkri”.

Një studim i ndërmarrë nga kompania e gazsjellësit vjen në përfundimin se gazsjellësi nuk do të ketë nivele të rrezikshme radoni. Ajo thotë se rregullatorët federalë kanë arritur në përfundimin se nuk do të ketë rreziqe për shëndetin mes konsumatorëve.
XS
SM
MD
LG