Lidhje

Susan Rice në postin e këshilltares së sigurisë kombëtare


Këshilltari i sigurisë kombëtare të presidentit Obama, Tom Donilon dha dorëheqjen. Në postin e tij do të emërohet Susan Rice, ambasadorja aaktuale e Shteteve të Bashkuara në OKB.

Njoftimin zyrtar pritet ta japë presidenti Obama sot, por një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i konfirmoi paraprakisht ndryshimet.

Zoti Danilon ka qënë një nga këshilltarët kyç për politikën e jashtme, që kur presidenti erdhi në pushtet. Ai pritet të largohet nga detyra muajin e ardhshëm.

Susan Rice, një bashkëpunëtore e ngushtë e presidentit, është në qendër të kritikave nga ligjvenësit republikanë që po hetojnë rreth sulmit ndaj kompleksit diplomatik amerikan në Bengazi të Libisë. Menjëherë pas sulmeve, zonja Rice tha se ato ishin spontane, një fakt që më vonë doli i pasaktë.

Fillimisht emri i saj doli si një kandidaturë e mundshme për të zëvendësuar Hillary Clinton-in, si sekretare shteti, por u detyrua të tërhiqet mes kritikave të republikanëve.

Detyra e këshilltarit të presidentit për sigurinë kombëtare nuk ka nevojë për miratim nga Senati. Në vend të saj në postin e ambasadorit amerikan në OKB pritet të emërohet Samantha Power, ish gazetare dhe aktualisht këshilltare e presidentit Obama.
XS
SM
MD
LG