Lidhje

Senati, pro shqyrtimit të reformës së imigracionit


Senati amerikan votoi dje në favor të shqyrtimit të një projektligji për reformimin e sistemit të imigracionit në vend. Votimi erdhi pas një debati të nxehtë në Senat dhe reforma ende përballet me një të ardhme të pasigurtë. Ajo parashikon mundësinë e integrimit ligjor për emigrantët e shumtë pa dokumente në vend.

"Ky është një moment që e kam pritur për një kohë të gjatë."
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Harry Reid tha se ka rëndësi që reforma e imigracionit të ketë mbështetje nga të dyja partitë. Demokratët dhe republikanët janë dakord se sistemi i imigracionit që ka lejuar 11 milionë të huaj pa dokumente të hyjnë në vend ka nevojë të riparohet.



Marco Rubio, i cili është vetë bir emigrantësh kubanë, tha gjithashtu se ky sistem largon profesionistët e aftë.

"A duhet të dëbojmë të diplomuarit më të mirë të disa prej universiteteve tona, fizikanë të klasit botëror, shkencëtarë dhe njerëz të teknologjisë, inxhinierisë apo matematikës? Kjo është mënyra se si funksionon tani sistemi ynë i emigracionit."

Projektligji i propozuar nga zoti Rubio dhe shtatë kolegë të tjerë do të lejojnte të huajt pa dokumente të aplikonin për shtetësi pas një periudhe pritjeje 13-vjeçare.
Por një senator tjetër republikan, Jeff Sessions, i Alabamës, votoi kundër qoftë edhe për ta shqyrtuar atë.

"Ky projektligj do të lejojë që në këtë vend të vijnë aq shumë punëtorë sa nuk kemi lejuar kurrë më parë, në një kohë kur papunësia është jashtëzakonisht e lartë, aftësia jonë për të ulur papunësinë është e pakët dhe pagat janë të ulëta."
Republikanët pritet të paraqesin disa ndryshime, duke përfshirë një mbi sigurinë në kufi që mund ta çonte ligjin drejt dështimit.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Barak Obama i bëri thirrje Kongresit ta miratojë reformën këtë verë.

"Nuk ka asnjë arsye për të luajtur lojëra procedurale ose për t’u angazhuar në procese penguese vetëm për të bllokuar shansin më të mirë që kemi pasur ndër vite për të zgjidhur këtë problem, në një mënyrë që është e drejtë për familjet e klasës së mesme, për bizneset, për emigrantët e ligjshëm."

Kudo pranë ndërtesës së Kapitolit, imigrantë të rinj të cilët kanë jetuar pjesën më të madhe të jetës me një status të paqartë demonstruan në favor.

"Është e trishtueshme, sepse unë kam qenë këtu që kur isha një vjeç. Shtetet e Bashkuara kanë qenë e vetmja shtëpi që kam njohur, dhe unë e dua komunitetin tim. E vetmja gjë që dua është të kontribuoj këtu në vendin tim", thotë një emigrante pa dokumenta.

"Të gjithë njerëzit që janë duke luftuar këtu në Uashington dhe të gjithë ata pa dokumente janë amerikanë, por thjesht nuk kanë dokumentacion. Ajo që ne kërkojmë është mundësia të kontribuojmë për shoqërinë", thotë Hareth Andrade, emigrante pa dokumenta.

"Ndërkohë që vazhdojmë shqyrtimin, unë dëshiroj që procesi i ndryshimeve të jetë sa më i hapur...", thotë Harry Reid.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat dhe propozuesit e tjerë e dinë që do t’u duhet të sigurojnë një shumicë dërrmuese, që ligji të mund të ketë shanse për t’u miratuar edhe në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG