Lidhje

Kreu i NSA para Senatit


Kreu i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara del sot para një komisioni të Senatit, ku pritet të përballet me pyetje të vështira lidhur me programet qeveritare të përgjimit që janë bërë burime polemikash.

Gjenerali Keith Alexander paraqitet në Senat në klimën e akuzave se agjencia e tij ka grumbulluar e-maile dhe të dhëna të tjera nga kompanitë e internetit, përmes një programi të quajtur PRISM. Tre kompani të mëdha interneti me bazë në Shtetet e Bashkuara, Google, Facebook dhe Microsoft, po i kërkojnë administratës Obama t'i lejojë të publikojnë hollësitë e urdhërave të një gjykate federale, e cila u kërkon këtyre firmave t'u japin agjencive amerikane të zbulimit informacione rreth përdoruesve të tyre.

Kompanitë thonë se duan që gjithçka të jetë transparente dhe e hapur. Para pak kohësh, ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, Edward Snowden, zbuloi për gazetat Guardian dhe Washington Post ekzistencën e programit Prism dhe monitorimin nga kjo agjenci të thirrjeve telefonike. Ai tha se është e rëndësishme të flitet hapur për atë që ai e quajti program masiv i mbikqyrjes së qytetarëve privatë nga ana e qeverisë.
XS
SM
MD
LG