Lidhje

Reagime në botë mbi akuzat për përgjimin e internetit


Qeveri, aktivistë dhe blogerë në mbarë botën vazhdojnë reagimet ndaj akuzave se agjencitë amerikane të sigurisë kanë grumbulluar fshehurazi emaile dhe fotografi drejtpërdrejt nga serverat e kompanive të tilla si Google dhe Facebook. Reagimet vijnë pas rrjedhjes së informacionit nga një ish-kontraktor i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar amerikian. Siç njofton nga Londra korrespondenti ynë, Henry Ridgwell, akuza i janë drejtuar edhe qeverisë britanike për bashkëpunim në programin e përgjimit.

Akuzat se shërbimet amerikane të sigurisë kanë një sistem të gjerë përgjimi të internetit dhe të telefonave janë shtrirë edhe përtej Atlantikut.

Në Parlamentin britanik, Sekretari i Jashtëm William Hague mohon se agjencitë britanike të sigurisë kanë shpërfillur ligjet për ruajtjen e privatësisë duke mbledhur të dhëna për qytetarët britanikë nga Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare.

"Agjencitë tona praktikojnë dhe respektojnë në çdo kohë ligjin britanik. Edhe kur kanë të bëjnë me informata nga jashtë Britanisë".

Emma Carr është zëvendës drejtore e grupit britanik Big Brother Watch.

"Kur mblidhen në një vend të vetëm informacione masive dhe kur ato përdoren për të parë nëse dikush ka kryer ndonjë krim, tani ose edhe në të kaluarën, kjo nuk është aspak një gjë e mirë, është diçka ku nuk mund të bazohen shoqëritë demokratike. "

Por disa britanikë të intervistuar nga Zëri i Amerikës, dukeshin të pashqetësuar nga akuzat e përgjimit. Ja si shprehet Nick James nga Londra.

"Mendoj se ne jemi në epokën e informacionit masiv dhe sa më shumë të dhëna që ata të grumbullojnë, aq më mirë është. Në qoftë se nga analiza e këtyre të dhënave ata parashikojnë se çfarë mund të ndodhë, atëherë aq më mirë."

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin reagoi ndaj akuzave, duke thënë se përgjimet e qeverisë duhet të bëhen vetëm në bazë të ligjit.

Por kritikët argumentojnë se qeveria ruse nuk e lejon shtypin e lirë. Gazetar investigues Andrei Soldatov, thotë se akuzat mund të kenë ndikime të thella për internetin.

"Ne e mendonim internetin si diçka globale. Tani në Rusi po fillojnë të përdorin argumente të tilla si 'Kemi nevojë të ndërtojmë kufij kombëtarë.' Dhe kjo ofron municion shumë të mirë për këto lloj argumentesh. "

Kina prej kohësh akuzohet nga Perëndimi për censurë në Internet. Blogeri nga Pekini Michael Anti, i cili foli për Zërin e Amerikës në telefon, tha se Kina mund të përfitojë nga akuzat kundër Shteteve të Bashkuara.

"Qeveria kineze do të na thotë: 'A nuk ju thamë se çdo qeveri e bën këtë në internet? Pra të gjitha kritikat që ju na bënit dikur në lidhje me lirinë e internetit, në thelb janë shumë hipokrite.'"

Në rrugët e kryeqytetit kinez reagimi ishte i përzier. Ja ç'thotë Sarah, stiliste.

"Nuk ka rëndësi nëse kam bërë ndonjë krim, apo merrem me punët e mija. Në fund të fundit, gjithkush duhet të ketë një grimë privatësi".

Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se ajo do ta ngrejë çështjen kur Presidenti Barack Obama të vizitojë Berlinin pas Samitit të G8 javën e ardhshme.
XS
SM
MD
LG