Lidhje

Kosova dhe Serbia shkëmbejnë zyrtarët ndërlidhës


Shkëmbimi i zyrtarëve është pjesë e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në Prishtinë dhe në Beograd, sot filluan punën zyrtarët e parë ndërlidhës ndërmjet të dyja vendeve.

Ambasadori Lulzim Peci, që deri tash ishte shef i misionit diplomatik të Kosovës në Suedi, bëhet zyrtari i parë i Kosovës që fillon punën në Beograd, ndërsa në Prishtinë, Serbinë e përfaqëson Dejan Paviçeviç, që deri tash udhëhiqte bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia shkëmbejnë zyrtarët ndërlidhës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:06 0:00

Zoti Peci u tha sot mediave në Beograd se pret bashkëpunim të hapur dhe të mirë me institucionet shtetërore serbe.

Kjo është një ditë shumë e rëndësishme sa i përket normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, zoti Paviçeviç, ka shprehur besimin se shkëmbimi i zyrtarëve do të lehtësojë procesin e zbatimit të marrëveshjes dhe komunikimin ndërmjet të dyja palëve.

“Ne do të jemi këtu për të lehtësuar komunikimin, që të lehtësojmë zbatimin e të gjitha atyre marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel dhe gjithashtu të ndihmojmë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës”, tha ai.

Zoti Paviceviq tha se çështja e normalizimit të marrëdhënieve të plota është diçka që ende nuk është qartësuar.

“Sigurisht që nuk mund të flasim për normalizimin e marrëdhënieve të plota ndërmjet të shteteve, por ndoshta ndërmjet dy kombeve. Ne duhet të kemi normalizim ndërmjet popullit serb dhe popullit shqiptar. Ne kemi dallimet tona, ne kemi problemet tona, por, si njerëz ne duhet të komunikojmë”, tha zoti Paviceviq duke shtuar se Serbia me këtë hap nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës sepse ai këtu nuk është si ambasador por si zyrtar ndërlidhës.

Shkëmbimi i zyrtarëve është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se shkëmbimi i zyrtarëve paraqet një hap të njohjes së ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve.

Ky është komunikimi i parë reciprok i nivelit të tillë diplomatik mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, është fuqizim i njohjes së realitetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe reciprokisht nga Kosova në raport me Serbinë si dy shtete sovrane”, tha kryeministri Thaçi.

Të dy zyrtarët do të jenë të ngarkuar me lehtësimin e komunikimeve ndërmjet të dyja vendeve në funksion të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Gati dy muaj më parë, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, u pajtuan me një marrëveshje, ndërsa me 22 maj hartuan edhe një plan të zbatimit të saj, i cili nuk ka filluar ende. Gjatë kësaj jave ata pritet të takohen sërish në Bruksel për të diskutuar rrugët e zbatimit të saj.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, konfirmoi sot takimin e 20 qershorit ndërmjet kryeministrave ku sic thuhet do të diskutohet “për përparimin në zbatimin e marrëveshjes së prillit, bazuar në planin që dy palët kanë miratuar muajin e kaluar”.

Në një komunikatë për opinion, zonja Ashton ka mirëpritur shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës në Prishtinë dhe Beograd, duke e cilësuar si hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja u siguron serbëve në veriun e Kosovës një shkallë të lartë të autonomisë, veçanërisht në fushën e policisë dhe gjyqësisë.

Fillimi i zbatimit të saj në terren është kusht për përparimin e të dyja palëve në proceset e integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG