Lidhje

Integrimi i grave në misione luftarake


Gratë amerikane së shpejti do të jenë në gjendje të shërbejnë në role luftarake të cilat deri më tani janë rezervuar për meshkujt. Këtë javë, zyrtarët ushtarakë njoftuan planet për të hapur mijëra vende pune për gratë që duan të shërbejnë në role luftarake në ushtrinë amerikane deri në vitin 2016.

Një numër në rritje grash u janë bashkuar forcave të armatosura amerikane për të shërbyer në një numër gjithnjë e më të gjerë detyrash. Gjatë luftërave në Irak dhe Afganistan, gratë ishin shumë pranë rolit luftarak në vijën e frontit dhe shumë prej tyre u vranë në krye të detyrës. Tani zyrtarët thonë se brenda një ose dy viteve gratë mund të trajnohen për të shërbyer në njësitë të tilla elitë si ato Rangers të forcave tokësore apo Seals të marinës.

Gjenerali Howard Bromberg thotë se ushtria do të shqyrtojë të gjitha pozitat e saj duke përdorur një qasje neutrale ndaj gjinisë. Ai tha se standardet do të jenë të njëjta për ushtarët meshkuj dhe femra.

“Gjëja më e keqe që mund të bëjmë është ndryshimi i standardeve për rolet në ushtri pavarësisht nëse bëhet fjalë madje edhe për një mjek në fushën e betejës apo një ushtar të këmbësorisë. Pavarësisht nga zgjedhje që bëni, ju duhet të jeni absolutisht të sigurt se mund ta kuptoni dhe zbatoni detyrën tuaj në një situatë luftarake”.

Zyrtarët ushtarakë kanë nënvizuar se rekomandimet e tyre për Sekretarin e Mbrojtjes do të bëhen pas analizave të kujdesshme se si do të dalin gjatë provave si burrat edhe grave. Kjo përfshin shqyrtimin e rolit të grave në njësi të vogla komando që duhet të jenë në gjendje të punojnë të izoluar në një territor të huaj. Por gjenerali Bennet Sacolick thotë se është më shumë i shqetësuar për integrimin kulturor të grave në ato njësi sesa aftësinë e tyre për të përmbushur detyrat operacionale.

“Në këtë pikë nuk është marrë asnjë vendim dhe unë dua ta përsëris edhe njëherë se nuk kemi marrë asnjë vendim mbi këtë çështje. Vitin e ardhshëm do bëjmë mbledhjen dhe analizimin e të dhënave”.

Korpusi i Marinsave amerikane këtë verë do të testojë aftësitë fizike dhe luftarake të 400 meshkujve dhe 400 femrave. Koloneli Jon Aytes thotë se rekomandimet do të bazohen në një analizë të gjithanshme e cila do të përfshijë edhe një vështrim nga afër të mënyrës se si Izraeli, Australia, Kanadaja, Britania e Madhe dhe vende të tjera kanë integruar gratë në forcat e tyre ushtarake.

“Këto janë të bazuara në aftësinë për të realizuar punën pa marrë parasysh nëse ju jeni burrë apo grua. Mbushja e tankut me predha duhet të bëhet nga ushtari pavarësisht nëse është burrë apo grua sepse ne nuk kemi municione të madhësive apo peshave të ndryshme, prandaj kjo punë duhet bërë nga të gjithë”.

Zyrtarët thonë gjithashtu se rekrutimi dhe trajnimi nuk është i njëjtë për të gjitha pozitat dhe se trajnimi mund të marrë deri në pesë ose më shumë vjet për të sjellë gratë në disa njësi operative.
XS
SM
MD
LG