Lidhje

Brazili përfshihet nga protestat


Protestat morën shkas nga rritjet e planifikuara të çmimeve për biletat e autobusit dhe metrosë

Në Brazil, protestat vazhduan edhe mbrëmë gjatë natës. Më shumë se një milion brazilianë kanë dalë në rrugët e të paktën 80 qyteteve, duke kërkuar shërbime më të mira publike dhe dhënien fund të korrupsionit.

Përleshjet shpërthyen në disa qytete ku policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Në Rio de Janeiro demonstruan rreth 300-mijë njerëz, mes tyre shumë të rinj u përleshën me forcat e rendit. Ata hidhnin fishekzjarre ndaj policisë e cila u përgjigj me gaz lotsjellës. Të paktën 40 njerëz u plagosën.

Në kryeqytetin Brazilia, qindra protestues u përpoqën mbrëmë të pushtojnë ndërtesën e Ministrisë së Jashtme.

"Është me të vërtetë emocionuese kur shikon njerëzit në rrugë që kërkojnë të drejtat. Njerëzit po zgjohen," thotë protestuesi Francisco Colombo.

Dje, policia përdori gaz lotsjellës kundër një turme të madhe demonstruesish në këtë qytet. Disa protestues ndiznin zjarre të vogla nëpër rrugë për të minimizuar efektet e gazit lotsjellës.

Në Sao Paulo, demonstruesit bllokuan bulevardin Paulista dhe marshuan nëpër rrugë. Së paku një protestues u vra në shtetin Sao Paulo kur një makinë u përplas me një turmë demonstruesish. Shoferi ishte me sa duket i zemëruar që ishte bllokuar nga protestuesit në rrugë.

Deri mbrëmë, numri i protestuesve në të gjithë Brazilin kishte arritur në 1 milion, sipas vlerësimeve të policisë.

Protestat morën shkas nga rritjet e planifikuara të çmimeve për biletat e autobusit dhe metrosë.

Megjithëse zyrtarët në Rio de Janeiro dhe Sao Paulo njoftuan më parë se do t'i anulonin rritjet, demonstratat vazhduan.

Shumë vëzhgues besojnë se protestat janë kthyer në thirrje për ndryshime më të mëdha. Demonstruesit po kërkojnë t'i jepet fund korrupsionit qeveritar.

Trazirat e prekin vendin ndërkohë që ai është mikpritësi i Kupës së Konfederatave të futbollit dhe kur në Brazil kanë ardhur dhjetëra mijëra vizitorë të huaj për të ndjekur turneun.

Protestat vijnë gjithashtu një muaj para se Papa Françesku të vizitojë Brazilin, ndërkohë që vendi ndodhet përpara dy ngjarjeve të mëdha sportive, Botërorit 2014 dhe Lojërave Olimpike të 2016-s. Kjo shtron pikëpyetje se si zyrtarët brazilianë do të ofrojnë siguri për këto ngjarje.

Protestat masive janë të rralla në këtë vend me popullsi prej190 milionë banorësh dhe ku demonstratat përgjithësisht tërheqin një numër të vogël pjesëmarrësish të politizuar.
XS
SM
MD
LG