Lidhje

Imigracioni në SHBA - programi i një universiteti

  • Bernard Shusman

Shërbimi i telefonatave në Universitetin e qytetit të Nju Jorkut për immigrantët tërhoqi mijëra thirrje

Ndërsa Kongresi amerikan vazhdon debatin lidhur me ligjin mbi reformimin e imigracionit, çdo ditë më shumë banorë në Shtetet e Bashkuara bëhen qytetarë amerikanë.

Në fakt, vitin e kaluar Shërbimi amerikan i Imigracionit dhe Natyralizimit kaloi nëpër procesin e betimit gati 700 mijë qytetarë të rinj, mes tyre 84 mijë në shtetin e Nju Jorkut.

Ligji i imigracionit është çështja më e rëndësishme për ata njerëz që duan të mësojnë më shumë rreth qytetarisë amerikane.

Shërbimi i telefonatave në Universitetin e qytetit të Nju Jorkut për immigrantët tërhoqi mijëra telefonata për hollësi rreth imigracionit.

Vullnetarë nga të gjitha aspektet e jetës, përfshirë edhe qytetarë të rinj amerikanë, iu përgjigjën telefonatave për të dhënë informacionin e kërkuar.

Njerëz të kulturave të ndryshme ndihmojnë t’u përgjigjen shqetësimeve të immigrantëve që telefonojnë.

“Unë u përgjigjem telefonatave të personave që flasin spanjisht dhe portugalisht. Ne u përgjigjemi telefonatave nga gjithë shteti i Nju Jorkut, por edhe nga shteti Idaho”.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg u tha vullnetarëve se ky program me të vërtetë po bën diçka pozitive.

“Ky vend ka nevojë për më shumë imigrantë. Ne duhet të sigurohemi se imigrantët që janë këtu kanë mundësi të marrin pjesë dhe të ndërtojnë vendin tonë. Uashingtoni është çmëndur që përpiqet t’i përjashtojë këta njerëz nga ndërtimi i vendit tonë dhe të ardhmes sonë, prandaj ju po ndihmoni shumë në këtë drejtim”.

Programi ka pasur ndikimin e vet. Një qytetare e re është Emma Dyer, e cila imigroi nga Panamaja. Emma mësoi rreth programit në televizion.

“Kur je qytetar amerikan, njerëzit e dinë se mund të bësh ndryshime. Shtetësia amerikane ka shumë domethënie: numër 1, unë mund të shkoj në çdo aeroport, të udhëtoj kudo në botë dhe të kthehem këtu pa mu bërë asnjë pyetje sepse kam pasaportë amerikane”.

Arritja kulmore është ky dokument. Gati çdo javë në qytetin e Nju Jorkut bëjnë betimin qytetarë të rinj. Ishte një ditë e gëzuar, e shoqëruar me lot, për 150 qytetarë të rinj nga 32 vende të ndryshme, përfshirë Ganën, Francën dhe Venezuelën.

“Kam pritur shumë për këtë ditë dhe do të gëzoj qytetërinë amerikane tani e tutje”.
“Për mua qytetaria amerikane më bën të jem pjesë e shumë vendeve të marra së bashku, veçanërisht këtu në qytetin e Nju Jorkut”.

“Ti vjen në këtë ceremoni për të marrë zyrtarisht shtetësinë amerikane dhe të përshkon një ndjenjë e çuditshme. Është diçka emocionale sepse ke jetuar këtu për një kohë të gjatë dhe e do shumë këtë vend. Të gjithë e duan Amerikën”.


Këta qytetarë të rinj amerikanë personifikojnë Amerikën…. një vend imigrantësh nga e gjithë bota dhe për shumë prej tyre, kjo filloi me një telefonatë.
XS
SM
MD
LG