Lidhje

SHBA trysni Rusisë të dorëzojë Snowdenin


Presidenti Obama tha se SHBA-ja po përdor “të gjitha kanalet ligjore” në përpjekje për të arrestuar kontraktorin e zbulimit në arrati

Presidenti Barack Obama tha se Shtetet e Bashkuara po përdorin “të gjitha kanalet ligjore” në përpjekje për të arrestuar kontraktorin e zbulimit në arrati, i cili dekonspiroi programet sekrete amerikane të përgjimit.

Shtëpia e Bardhë tha dje se besonte që Edward Snowden ishte në Rusi dhe po i bën presion Moskës ta dëbojë atë për në Shtetet e Bashkuara, ku atij i janë ngritur akuzuar për spiunazh.

Edward Snowden duhej të nisej me avion dje pasdite nga Moska për në Havanë, me destinacion të mundshëm Ekuadorin, ku ai po kërkon strehim. Por avioni për në kryeqytetin kuban u nis pa asnjë shenjë se Snowden ndodhej në bord.

Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, organizata sekrete e të cilit është duke e ndihmuar Snowdenin ndërsa ndodhet në arrati, tha se ai është i sigurtë, por nuk pranoi të tregonte vendndodhjen e tij.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha se Shtetet e Bashkuara i kanë dorëzuar rregullisht të dyshuar për krime Rusisë dhe shtoi se pritet që Rusia t’ua dorëzojë 30-vjeçarin Snowden autoriteve amerikane.

Zëdhënësi kritikoi Kinën për atë që e cilësoi “zgjedhje e paramenduar e Pekinit”, për ta lejuar Snowdenin të largohej të djelën me avion nga Hong Kongu për në Moskë. Ai tha se vendimi i Kinës, pa dyshim që ka dëmtuar marrëdhëniet amerikano-kineze.
XS
SM
MD
LG