Lidhje

SHBA: Rusia të ekstradojë Snowdenin


Hong Kong China Surveillance
Hong Kong China Surveillance

Presidenti rus Putin, konfirmoi se Snowden është në zonën e tranzitit të aeroportit Sheremetjevo, por nuk ka ndërmend t'ia dorëzojë Uashingtonit

Shtëpia e Bardhë tha se Rusia ka “bazë të qartë ligjore” për të ekstraduar Edward Snowdenin dhe se duhet ta bëjë një gjë të tillë pa vonesë.

Presidenti rus Vladimir Putin, konfirmoi dje se Snowden është në zonën e tranzitit të aeroportit Sheremetjevo, por tha se nuk ka ndërmend t'ia dorëzojë atë Uashingtonit.

Ish-kontraktori amerikan i zbulimit, Edward Snowden, ende ndodhet larg syve të publikut, ndërkohë që zyrtarët amerikanë vazhdojnë t'i bëjnë trysni Rusisë për ekstradimin e tij.

Ligji rus kërkon që udhëtarët, të cilët kalojnë më shumë se 24 orë në zonën e tranzitit të aeroportit, të marrin një vizë tranziti. Snowden ka kaluar tashmë katër ditë në aeroport dhe është e paqartë nëse ka kërkuar ose ka marrë një vizë të tillë.

Gazetarët e mbledhur në aeroport nuk e kanë parë atë brenda apo që ai të largohet nga zona e tranzitit. Gjithashtu, ai nuk është regjistruar në hotelin e zonës së tranzitit, sipas burimeve të këtij hoteli.

Duke folur gjatë një vizite në Finlandë, Presidenti Putin hodhi poshtë akuzat se Rusia po shkel ligjin në çështjen Snowden, duke e quajtur këtë një "marrëzi dhe absurditet.'' Ai tha Rusia nuk ka marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara.

"Sa i përket ndonjë lloj ekstradimi, për në cilindo vend qoftë, ne mund t'ua dorëzojmë shtetasit vetëm atyre vendeve të huaja me të cilat kemi marrëveshje ndërkombëtare për dorëzimin e kriminelëve. Ne nuk kemi asnjë marrëveshje të tillë me Shtetet e Bashkuara," tha zoti Putin.

Snowden kërkohet nga Shtetet e Bashkuara për nxjerrjen e programeve sekrete amerikane të përgjimit, por zoti Putin thotë se ish-kontraktori amerikan nuk ka shkelur asnjë ligj në Rusi. Ai thotë se Snowden është njeri i lirë dhe sa më shpejt të zgjedhë një destinacion përfundimtar, aq më mirë do të ishte.

Ai tha gjithashtu se Snowden kurrë nuk ka bashkëpunuar me agjencitë ruse të zbulimit. Zoti Putin tha se shpreson që kjo çështje të mos ndikojë në marrëdhëniet me Uashingtonin.

Po dje, Sekretari i Shtetit John Kerry tha se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë konfrontim "dhe bëri thirrje për qetësi dhe arsye" në trajtimin e çështjes Snowden.

Edward Snowden arriti të djelën në Moskë nga Hong Kongu, ku kishte ikur fillimisht. Planet e tij të udhëtimit nuk dihen. Dje ai nuk u paraqit në bordin e avionit që pritej ta çonte nga Moska për në Havanë, me destinacion të fundit Ekuadorin.

Ministri i jashtëm i Ekuadorit thotë se Snowden ka kërkuar strehim në vendin e tij dhe se qeveria e tij është në kontakt me Moskën.
XS
SM
MD
LG