Lidhje

TAP kalon përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë


Firma BP, kompania kryesore që shfrytëzon rajonin gaz-mbajtës Shah Deniz 2 në Detin Kaspik, konfirmoi të premten se gazsjellësi në Evropë do të kalojë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë.

Presidenti rajonal i firmës BP, Gordon Birell tha gjatë ceremonisë zyrtare në Baku se gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është fituesi i projektit. Firma TAP përbëhet nga kompania norvegjeze Statoil, ajo zvicerane Axpo dhe firma gjermane E.ON.

Gazsjellësi do të shtrihet për rreth 800 kilometra nga Greqia, në Shqipëri dhe përmes detit Adritaik, në Itali. Fusha Shah Deniz kontrollohet nga një koncorsium i përbërë nga firma BP me 25 përqind, firma norvegjeze Statoil 25 përqind, firma shtetërore e Azerbaixhanit Socar 10 përqind, dhe po 10 përqind kontrollojnë firma ruse Lukoil, ajo iraniane Nico dhe firma franceze Total.

Zoti Birelli tha se koncorsiumi shpenzoi dy vjet për të përcaktuar rrugën më të mirë për gazsjellësin që do të çojë për herë të parë gazin azerbaixhas në Evropë. Gazi nga fusha Shah Deniz 2 do të fillojë të shfrytëzohet në vitin 2018 dhe furnizimi i parë për Evropën do të jetë më 2019. Sasia vjetore e gazit që do të kalojë përmes linjës TAP do të jetë 10 miliardë metra kub. TAP-i shihet si konkurenti kryesor i gazsjellësit rus Korridori i Jugut “South Stream” për tregjet evropiane.

Gazsjellësi rus do të kalojë nga Kazakistani dhe Rusia përmes Bullgarisë, Serbisë dhe Hungarisë për t’u bashkuar me linjat evropiane në Austri. Vendet evropiane synojnë të pakësojnë vartësinë nga gazi rus, i cili për momentin përbën 30 përqind të importeve evropiane të gazit.

Projekti Nabucco West që humbi ndaj TAP-it, do të kishte kaluar përmes pothuajse të njejtave vende, si edhe ai rus South Stream, me përjashtimin e vetëm duke kaluar nga Rumania në vend të Serbisë.

Sipas analistit amerikan Ariel Cohen, me fondacionin Heritage, vendimi për të ndërtuar TAP-in, është një arritje veçanërisht për Azerbaixhanin pasi ky do të jetë gazsjellësi i parë nga ish vendet e Bashkimit Sovjetik që nuk kontrollohet nga Rusia.
XS
SM
MD
LG