Lidhje

Gjermania: spiunazhi ndaj miqve "i papranueshëm"


Sipas revistës Der Spiegel, Agjencia amerikane e Sigurimit Kombëtar ka vendosur pajisje përgjimi në zyrat e Bashkimit Evropian

Gjermania thotë se nëse akuzat se Agjencia amerikane e Sigurimit Kombëtar ka përgjuar zyrat e Bashkimit Evropian janë të vërteta, atëherë një spiunazh i tillë ndaj miqve është "i papranueshëm". Akuzat u botuan të shtunën në revistën gjermane Der Spiegel.

Një zëdhënës i kancelares gjermane Angela Merkel tha sot në Berlin se duhet rivendosur besimi i ndërsjellë.

Sipas revistës Der Spiegel, Agjencia amerikane e Sigurimit Kombëtar ka vendosur pajisje përgjimi në zyrat e Bashkimit Evropian në Uashington, Bruksel dhe në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, si dhe ka hyrë në kompjuterët e BE-së për të monitoruar bisedat telefonike, postën elektronike dhe dokumente të tjera. Revista citon dokumente sekrete amerikane të nxjerra nga ish-kontraktori i agjencisë, Edward Snowden.

Bashkimi Evropian ka kërkuar sqarime nga Shtetet e Bashkuara.

"Këto janë lajme shqetësuese nëse vërtetohen dhe kërkojnë sqarim të plotë. Komisioni i ka kërkuar Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Europian që ta ngrejë çështjen menjëherë me autoritetet amerikane në Washington dhe në Bruksel," tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Pia Ahrenkilde Hansen.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz tha se nëse ky lajm është i vërtetë, do të kishte një ndikim shumë negativ tek marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Ai bëri thirrje për sqarim të plotë nga autoritetet amerikane.

Ministrja gjermane e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger e akuzoi Uashingtonin se po përdor metoda të Luftës së Ftohtë kundër aleatëve të tij, duke thënë se “ështe e pashpjegueshme që miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara t’i shohin evropianët si armiq”.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, i cili është i përfshirë në negociatat për paqe në Lindjen e Mesme, tha sot se nuk ishte në dijeni të njoftimeve, por shtoi se "nuk është e pazakontë" për shumë vende që të angazhohen në mbrojtjen e sigurisë së tyre:

"Çdo vend në botë i angazhuar në çështjet ndërkombëtare të sigurisë kombëtare ndërmerr aktivitete të shumta për të mbrojtur sigurinë e tij kombëtare dhe për këtë kontribuojnë të gjitha llojet e informacionit."

Ai e diskutoi çështjen me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton gjatë një konference rajonale në Brunei, dhe premtoi t'i rikthehej kësaj çështjeje pasi të kishte mësuar më shumë në lidhje me situatën.

Akuzat i kanë shtyrë disa në Evropë të bëjnë thirrje për pezullimin e bisedimeve mbi një marrëveshje për tregtinë ndëratlantike.

Snowden u largua nga Shtetet e Bashkuara për në Hong Kong në muajin maj duke nxjerrë dokumente të rëndësishëm rreth programeve të përgjimit të ndërmarra nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar për të penguar terrorizmin.

Mendohet se ai po qëndron aktualisht në një zonë tranziti të aeroportit të Moskës dhe është duke kërkuar strehim në Ekuador.
XS
SM
MD
LG