Lidhje

BE miraton fonde për punësimin e të rinjve


EU SUMMIT

EU SUMMIT

Bashkimi Evropian ka rënë dakord për një fond disa miliarda dollarësh në përgjigje të krizës së papunësisë ndër të rinjtë që ka çuar në paralajmërime për një brez të humbur. Edhe pse BE-ja po kalon nëpër një krizë ekonomike, planet e saj për zgjerimin vazhdojnë me bisedimet zyrtare me Serbinë që janë caktuar për muajt e ardhshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, na informon nga Londra.

Në Spanjë dhe në Greqi papunësia mes të rinjve nën moshën 25 vjeçare është mbi 50 përqind.

Në Portugali, çdo ditë shikon radhë të gjata jashtë konsullatave të Angolës dhe Brazilit, pasi të rinjtë përpiqen të gjejnë një jetë më të mirë në ish kolonitë portugeze.

Kjo është një prirje regresive, thotë John Springford i Qendrës për Reformën Evropiane.

"Kur njerëzit mbeten pa punë për një kohë të gjatë, ata humbasin aftësitë që kanë patur, ata humbasin iniciativën dhe gjithashtu problemet sociale, si abuzimi me drogat dhe alkoolin e bëjnë të vështirë për ta të punësohen përsëri”.

Në takimin e tyre të Brukselit javën e kaluar (të premten, 28 qershor), udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord për një fond shpenzimesh prej 7.8 miliardë dollarësh për dy vjetët e ardhshëm në përgjegje të papunësisë mes të rinjve. Herman Van Rompuy është president i Këshillit të Evropës.


"Ne e dimë se reformat kërkojnë kohë dhe rezultatet nuk do të jenë të menjëherëshme. Prandaj ne po përqendrohemi edhe në masa që të kenë ndikim të drejtpërdrejtë, duke luftuar papunësinë ndër të rinjtë dhe duke ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha”.

Në Evropë ka rreth 5.6 millionë të rinj të papunë dhe vetëm fondet nuk do të jenë të mjaftueshme, thotë ekonomisti John Springford.


"Ne kemi parasysh rreth një mijë euro për njeri. Një gjë është e qartë për papunësinë mes të rinjve, kur papunësia është përgjithësisht e lartë, papunësia mes të rinjve do të jetë edhe më e lartë. Prandaj ky fenomen trajtohet më mirë me politika makroekonomike se sa me masa mikroekonomike”.

Komisionerët evropianë e përshkruan javën e kaluar si një javë të mirë për BE-në, pasi arritën marrëveshje për buxhetin 7-vjeçar prej 1.25 trillionë dollarësh të bllokut, duke u dhënë kështu fund debateve disa muajore të vendeve anëtare”.

Kroacia hyri në Bashkimin Evropian më një korrik (2013), ndërsa udhëheqësit e BE-së ranë dakord të premten (28 qershor) të fillojnë bisedimet për anëtarësimin e Serbisë, jo më vonë se janarin e vitit të ardhshëm. Presidenti i Komisionit Evropian e vlerësoi marrëveshjen.


"Kjo është historike. Të mos harrojmë se çfarë ndodhi jo shumë kohë më parë në atë pjesë të Evropës me luftërat më të dhunëshme ndonjëherë. Dhe tani ne do të fillojmë negociatat me Serbinë”.

Me rëndësi për procesin e anëtarsimit të Serbisë ka qënë gatishmëria e qeverisë serbe për të negociuar, thotë James Ker-Lindsay i Shkollës Ekonomike të Londrës.


"Aty kanë ndodhur ndryshime shumë të mëdha gjatë vitit të kaluar me ardhjen e qeverisë së re, për të cilën shumë njerëz menduan se do të ishte një hap prapa. Ajo kishte reputacionin si nacionaliste, por në fakt ajo bërë një sërë hapash dhe më me rëndësi në drejtim të marrëdhënieve me Kosovën që ka qënë një temë e vështirë që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008”.

Ndërkohë, Letonia fitoi miratimin të premten (28 qershor) për të hyrë në eurozonë më 1 janar 2014, duke u bërë kështu vendi i 18-të i Eurozonës.
XS
SM
MD
LG