Lidhje

Egjipt: Paralajmërohen protesta të reja


Vëllazëria Mylsimane ka bërë thirrje për protesta të mëtejshme sot, një ditë pasi përplasjet mes ushtrisë dhe përkrahësve të Presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi shkaktuan vdekjen e 51 vetëve.

Ndërsa protestuesit rifilluan të mblidheshin në rrugët e Kairos, të dy palët vazhduan të fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën. Vëllazëria Myslimane tha se ushtria hapi zjarr ndaj përkrahësve të Morsit pa arsye.

Ushtria në një deklaratë dje tha se trupat hapën zjarr vetëm pasi u sulmuan nga terroristët që u përpoqën të hynin me forcë në një objekt ushtarak në Kairo.

“Ne na ishte dhënë detyra të ruanim selinë e Gardës Republikane dhe papritur herët në mëngjes pamë njerëz me motoçikleta që kishin hapur zjarr dhe disa nga ne u plagosën”.

Televizioni shtetëror transmetoi video të siguruara nga ushtria, për të cilat u tha se tregonin përkrahës të Morsit që sulmonin ushtarë.

Por anëtarë të Vëllazërisë Myslimane thonë se videoja ishte e rreme.

“Konferenca e shtypit e ushtrisë është thjesht sajim dhe gënjeshtër. Gjithkush që ka marrë pjesë në grupe apo lëvizje revolucionare në terren në Egjipt, e kupton menjëherë se ato janë video të para një viti e gjysëm nga incidentet e Abbassisë, kur ushtria u përplas me një numër grupesh revolucionare”.

Presidenti i përkohshëm i Egjiptit Andly Mansour bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga të dyja palët si edhe për një hetim të pavarur për dhunën.

Ai gjithashtu nxorri një dekret dje, ku thuhej se brenda pesë muajsh do të mbahet një referendum për të ratifikuar amendamentet e kushtetutës së vendit. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen brenda dy muajsh dhe kur të mblidhet arlamenti, do të caktohet një datë për zgjedhjet presidenciale.
XS
SM
MD
LG