Lidhje

Kosova dhe debati për ekstremizmin fetar


Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, thotë se ekstremizmi fetar nuk ka të bëjë me islamin.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tarnava tha se në Kosovë nuk ka pasur deri tash veprime që do ta identifikonin atë me vatër të rrezikut nga ekstremizmi fetar, ndërsa çdo përpjekje për nxitjen e tij duhet të luftohet nga të gjithë.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, në ditën e parë të muajit të Ramazanit, ai tha se, fjala e parë në Kuran është lexo, mëso dhe studio,që do të thotë se çdo gjë është nën ombrellën e domethënies së kësaj fjale. Kjo, tha ai, vetvetiu flet se të gjithë njerëzit të mësojnë lexojnë e studiojnë dhe të dinë se çfarë përmban Islami e çfarë udhëzon ai dhe të mos përfshihen në debate pa njohuri të mjaftueshme.


Në mungesë të njohurive të bollshme në raport me islamin, kemi edhe debate të panevojshme, të tepërta dhe debate të pasuksesshme mund të them. Ngase, shume nga ata që futen në debate, po shihet nga lartë se nuk kanë edhe njohuritë elementare mbi fenë, për fenë dhe rreth fesë islame”, tha myftiu Twrnava.

Ai tha se islami është besim i paqes e respektit të ndërsjellë midis njerëzve e besimeve, i tolerancës dhe nuk pranon asgjë që është kundër këtyre parimeve.

Nuk ka asgjë të përbashkët me keqbërje, nuk ka asgjë të përbashkët me ekstremizëm, me terrorizëm, me vehabizëm. Islami është larg tyre. Islami është një fe e cila mundohet të pastrojë shpirtin, mendjen dhe zemrën e individit në raport me krijuesin, mirëpo edhe në raport me sjelljet e tij që duhet t’i ketë me shoqërinë, kudo që ai jeton”.

Myftiu Tërnava tha se keqkuptimi i cilitdo prej besimeve mund të nxisë ekstremizëm dhe fundamentalizëm.

Në Kosovë, elhamdurilah prej Zotit, që deri sot nuk kemi pasur raste përmes së cilave do të ishte identifikuar Kosova si një vatër ku ka rrezik të ekstremizmit, apo eskalimit të gjendjes, të urrejtjes edhe në aspektin fetar. Këtu një kontribut të jashtëzakonisht të madh ka luajtur vet Bashkësia Islame, por edhe shoqëria mbarëshqiptare, kudo që ajo jeton”, tha myftiu Tërnava.

Por, sociologu Ismail Hasani thotë se Kosova ndodhet para sfidave dhe debati për këtë çështje duhet të jetë i thellë.
Ismail Hasani
Ismail Hasani

Jo vetëm debati por edhe shfaqjet aty këtu ku paraqiten në trajtën e tendencave të ekstremizmit fetar janë problem shqetësues për Kosovën, përkatësisht për fazën nëpër të cilën Kosova po kalon. Në këtë kontekst mendoj se është e nevojshme që debati të mos zhvillohet në mënyrë sporadike, gjithsesi të thellohet dhe shoqëria kosovare është e nevojshme që të mobilizohet në kuptimin e deklarimit të hapur për rrezikun potencial që shoqërisë kosovare i shfaqen nga mundësitë e depërtimit të ekstremizmit fetar”, theksoi zoti Hasani

Myftiu Tërnava thotë se ka interesa të grupeve të ndryshme, qoftë nga lindja apo perëndimi, që synojnë instalimin e ndonjë rryme të skajshme, që nuk përkon me realitetin në të cilin jeton Kosova. Por ai thotë se përpjekjet e tilla janë luftuar nga Bashkësia Islame në bashkëpunim me besimtarët dhe institucionet e Kosovës.

Ekstremizmi nuk guxon të zërë vend në Kosovë, indoktrinomi nuk guxon të zë vend në Kosovë. Me këtë rast ftoj të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë, por edhe mbarë popullin e Kosovës, që nëse diçka të tillë hetojnë, kanë për detyrë që atë ta luftojnë me mënyrën që ata e shohin që është më e mirë dhe më e shpejtë. Ajo sëmundje duhet, nëse dikush tenton që atë ta vendosë në trupin tonë të shëndoshë, atë duhet larguar sa më shpejt”, tha ai.

Për zotin Hasani, qasja ndaj kësaj çështjeje duhet të jetë më e qartë dhe më e hapur nga të gjitha institucionet fetare dhe politike.

Unë mendoj se më tepër ka deklarata verbale, ose qasje të përgjithësuar sa i takon këtij problemi. Nuk ka prononcim të hapur që gjërat të thuhen me emër dhe mbiemër, sepse në Kosovë kemi pasur shfaqje të tilla dhe vazhdon të ketë. Siç vazhdon të ketë një diskurs të çuditshëm të kombinimit të të ashtuquajturës përkrahje fesë nën petkun e të ashtuquajturit tradicionalizëm etnik apo tradicionalizëm kombëtar”, tha zoti Hasani.

Ai shpreh shqetësimin edhe për rrugët e organizimit politik të rrymave fetare në Kosovë. “Çdo platformë e çdo subjekti politik që ka primesa fetare, për shoqëritë multietnike e multikulturore dhe për Kosovën si projekt ndërkombëtar, nuk janë të shëndetshme, absolutisht”.

Myftiu Tërnava thotë se Bashkësia Islame është përgjegjëse për jetën fetare dhe jo partitë politike, të cilat kanë detyrime të tjera ndaj shtetit dhe ndaj bashkësive fetare, të cilat ende nuk e kanë të zgjidhur statusin e tyre juridik.
XS
SM
MD
LG