Lidhje

Hapet gjyqi për shpërthimet në Boston


I dyshuari për shpërthimet në maratonën e Bostonit, Dzhokhar Tsarnaev nuk pranoi fajësinë për assnjë prej akuzave në lidhje me dy shpërthimet vdekjeprurëse në gjatë garës së maratonës së Bostonit në muajin prill. Gjyqi filloi nën masa të repta sigurie dhe në praninë e shumë viktimave dhe familjeve të tyre, gazetarëve dhe njerëz që e identifikuan veten si miq të Tsarnaevit.

Tsarnaev deklaroi pafajësinë dje në një gjykatë federale në Boston, duke u shprehur "i pafajshëm" për secilën prej 30 akuzave që iu lexuan në seancën gjyqësore.
Akuzat kundër tij përfshijnë përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë. Nëse gjendet fajtor, 19 vjeçari Tsarnaev mund të dënohet me vdekje ose burgim të përjetshëm.

Seanca e djeshme gjyqësore është dalja e tij e parë në publik që kur Tsarnaevi u arrestua pak ditë pas shpërthimeve, nga të cilat u vranë 3 veta dhe u plagosën më shumë se 260 të tjerë.

Salla e gjyqit ishte mbushur me viktima plot emocione të shpërthimeve dhe familjeve të tyre si dhe gazetarë dhe njerëz që e identifikuan veten si miq të Tsarnaevit. Përreth godinës së gjykatës ishin marrë masa të shumta sigurie.

Peter Brown, i afërm i dy prej viktimave, foli me gazetarët pas seancës gjyqësore. Në krah të tij ishte e motra, Liz Norton, dy djemtë e së cilët humbën këmbët nga shpërthimet. Brown u pyet se ç’mendoi rreth qëndrimit të Tsarnaevit në sallën e gjyqit.

“I vetmi mendim që krijova kur e pashë për herë të parë ishte se ai kishte një shprehje vetëkënaqësie. Ai nuk shikoi asnjëherë në drejtimin tonë. Ne ishim ulur mbrapa tij dhe nuk mund ta shikonim atë mirë. Pranë tij ishin avokatët që e inkurajonin. Ai në fakt iu përgjigj të gjitha akuzave, duke deklaruar pafajësinë”.

Mildred Valverde, e cila pësoi shumë plagë nga shpërthimet, tha se shpreson që Tsarnaevi të "vuajë në burg gjatë gjithë jetës". Ajo e përshkroi skenën në sallën e gjyqit si "paksa të frikshme dhe të trishtueshme".

“Megjithatë u ndjeva mirë që isha e pranishme në sallën e gjyqit. Nuk më erdhi fare mirë që ai deklaroi pafajësinë megjithëse të gjithë e dinin se ai do ta bënte këtë. U shqetësova prej disa nga përkrahësve të tij me paraqitjen e tyre si për shembull bluzat që kishin veshur, njëra kishte një armë të stampuar, në një tjetër shkruhej ‘ai nuk është fajtor’. Çdo kush gëzon të drejtën e mendimit të vet, por nuk mund ta pranoj që ai të mos gjendet fajtor”.

Përveç viktimave të shpërthimeve të maratonës, Tsarnaevi akuzohet për vrasjen e një polici disa ditë pas shpërthimeve. Në atë kohë, ai dhe vëllai i tij i madh, Tamerlan Tsarnaev, po përpiqeshin t’u shpëtonin autoriteteve pasi pamjet e filmuara i tregonin ata duke ecur përgjatë rrugës së maratonës para se shpërthimet të transmetoheshin drejtpërdrejtë në televizion. Tamerlani u identifikua fillimisht si "i dyshuari numër 1" me kapele të zezë bejsbolli, ndërsa Dzhokhari u identifikua si "i dyshuari numër 2" me kapele të bardhë bejsbolli.

Tamerlani vdiq pas shkëmbimit të zjarrit me policinë. Dzhokhari u arrestua një ditë më vonë ndërsa fshihej në një anije të parkuar në oborin pas një shtëpie në një lagje periferike të Bostonit.

Vëllezërit Tsarnaev e kaluan pjesën më të madhe të dekadës së fundit në Shtetet e Bashkuara. Ata kishin lidhje me njerëz në rajonet ruse me trazira të Çeçenisë dhe Dagestanit, ku ekstremistët islamikë shpesh sulmojnë autoritetet ruse.
XS
SM
MD
LG