Lidhje

13 të arrestuar pas pafajësisë së Zimmermanit


A protester confronts a Los Angles police officer during a demonstration in reaction to the acquittal of neighborhood watch volunteer George Zimmerman on July 15, 2013, in Los Angeles.

A protester confronts a Los Angles police officer during a demonstration in reaction to the acquittal of neighborhood watch volunteer George Zimmerman on July 15, 2013, in Los Angeles.

13 vetë u arrestuan në Los Angeles dje vonë, pas natës së tretë të demonstrateve në protestë ndaj shpalljes si i pafajshëm të George Zimmermanit për vrasjen e të riut Trayvon Martin. Në gjithë vendin janë mbajtur tubvime që nga e diela, një ditë pasi juria në Florida e shpalli të pafajshëm Zimmermanin për akuzat për vrasjen e 17 vjeçarit në shkurt 2012. Ndërkohë një nga anëtaret e jurisë, theu heshtjen me një intervistë për CNN-in.

Protestuesit vrapuan në rrugët e Los Angelesit, duke thyer dritare, duke sulmuar njerëz në trotuare dhe duke bastisur një qendër tregëtare Wal Mart.

13 personat u arrestuan në Distriktin Crenshaw të Los Angelesit, pas akteve të shumta të vandalizmit dhe disa sulmeve.

Disa qindra protestues, kryesisht paqësorë u mblodhën në Parkun Leimert në jugperëndim të Los Angelesit, por një grup më i vogël me 100 deri 150 vetë u shkëput dhe filloi të bllokonte trafikun në Bulevardin Crenshaw aty pranë dhe disa prej tyre sulmuan makina dhe thyen dritaret e dyqaneve.

Mbi 300 oficerë u thirrën në vendngjarje duke u përpjekur në fillim të lejonin që protesta të mbyllej paqësisht.

Shefi i policisë Charlie Beck tha se policia do të mbante një qëndrim shumë më të rreptë ditët e ardhshme.

Në Oakland dhjetra demonstrues bllokuan për një kohë të shkurtër të gjitha korsitë e autostradës, duke ndalur trafikun për disa minuta ndërsa njerëzit ktheheshin nga puna. Rruga u lirua nga autoritetet.

Zimmerman, që qëlloi me armë duke shkaktuar vdekjen e 17 vjeçarit Trayvon Martin, u shpall të shtunën i pafajshëm për vrasje të shkallës së dytë.

Anëtaret e jurisë, gjashtë gra, analizuan dëshmitë shpesh kontradiktore lidhur me atë që kishte sulmuar i pari në natën me shi kur u vra Trayvon Martin.

Njëra prej anëtareve, që e quajti veten B37 foli dje në një intervistë në CNN, pa e shfaqur identitetin e saj.

“Dua që njerëzit të kuptojnë se ne u përkushtuam plotësisht për të arritur në vendim. Ne nuk shkuam të vendosnim lehtësisht për fajësi apo pafajësi. Ne diskutuam për orë të tëra dhe qamë pasi morëm vendimin”.

Në fillim anëtarja e jurisë tha se ato ishin të ndara në mendimet e tyre, por përfundimisht duket se pretendimi i Zimmermanit për vetëmbrojtje u besua nga juria.


“George kishte të drejtën ta mbronte veten”.

Avokatët mbrojtës kanë thënë se rasti ishte vetëmbrojtje e pastër, duke pretenduar se Martin e rrëzoi Zimmermanin dhe po ia përplaste kokën në betonin e rrugës kur Zimmerman qëlloi me armë.

Por prokurorët e quajtën Zimmermanin gënjeshtar dhe e portretizuan si dikush që donte të merrte rendin në duart e tij dhe që ishte indinjuar nga shkeljet e shumta në lagje, autorë të të cilave kanë qenë kryesisht nga të rinj afrikano-amerikanë.

Ligji në Florida u jep qytetarëve hapësirë të gjerë të përdorin forcë vdekjeprurëse nëse mendojnë se po rrezikohen të vriten apo të plagosen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG