Lidhje

Detroiti shpreson për një fillim të ri


Megjithëse lajmi i shpalljes së falimentimit të Detroitit bëri bujë në gjithë botën, nuk ishte diçka e papritur për banorët e atij qyteti që kishin kohë që jetonin në vështirësi. Atyre që banojnë në Detroit, u duhet të presin për një kohë të gjatë për shërbimet e policisë dhe zjarrfikësave, në një atmosferë të zymtë kalbjeje të një qyteti që dikur ishte i katërti më i madhi i Shteteve të Bashkuara. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh nga Detroiti, disa banorë e shohin falimentimin si një fillim të ri.

Megjithëse mbi 1 milion banorë e kanë lënë qytetin në 50 vitet e fundit, John George vendosi të qëndrojë në Detroit dhe ishte dëshmitar i momentit më të keq të qytetit.

“Lajmi i mirë kur arrin momentin më të keq është se ndonjëherë merr një shtysë të fuqishme dhe këtë po shpresojmë. Një shtysë për të marrë veten, sepse nuk ka ku të shkosh më keq përtej falimentimit”.

Rrugët e kësaj lagjeje janë një simbol i rrënimit të Detroitit. Shtëpitë dikur të populluara nga familje të klasës së mesme, me makina dhe biçikleta para shtëpive, janë zëvendësuar me pirgje plehrash dhe rrënoja të djegura.

John George është themelues i organizatës bamirëse Motor City Blight Busters, misioni i së cilës është çmontimi i objekteve që dikur ishin shpirti i kësaj lagjeje, tani e braktisur dhe e lënë pas dore, në mënyrë që të mos përhapet krimi dhe vandalizmi apo t’u vihet flaka.

Ai thotë se ka parë aq shumë vuajtje në Detroit saqë nuk habitet nga kërkesa për falimentim e qytetit.


“Detroiti ka nevojë për një shans të dytë dhe mendoj se kërkesa për falimentim, është shansi ynë i dytë”.



“Jehona e këtij lajmi u dëgjua në gjithë botën”.


Profesori i së Drejtës në Universitetin e Miçiganit John Pottow thotë se sytë e botës janë drejtuar nga Detroiti dhe tek mënyra se si udhëheqësit dhe banorët e tij po reagojnë ndaj krizës financiare, sepse bashki të tjera mund të pësojnë të njëjtin fat.


“Në çdo vend të madh evropian ka aktualisht defiçite. Kemi për shembull krizën greke. Kështuqë edhe ata po e shohin këtë si paralajmërim për atë që mund të ndodhë në të ardhmen”.

John George parashikon që qyteti ta rimarrë veten, duke u bërë diçka më shumë sesa thjesht qendra e industrisë së makinave në Shtetet e Bashkuara.


“Ndërtesat, njerëzit dhe qytetet kalojnë nëpër cikle dhe për Detroitin është koha që ta lëmë pas këtë cikël negativ dhe të fillojmë diçka pozitive, më të qëndrueshme, më energjike dhe të bukur”
.

George do të donte të shihte jo vetëm eliminimin e borxheve, por edhe përmirësimin e shërbimeve, rënien e krimeve dhe shërbim më të shpejtë nga punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë.

Dhe ndoshta, me largimin e shenjave të vuajtjeve, këto rrugë mund të shohin një jetë të re, të ngjashme me atë që George ka në kujtesë nga fëmijëria.


“Nëse është pastër dhe ka siguri mund të tërheqim familje të reja dhe mendoj se me kalimin e kohës kjo do të realizohet”.


Ndërkohë, John George po luan rolin e tij për të ndihmuar në këtë përpjekje, duke spastruar një nga një rrugët me ndërtesa të braktisura.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG