Lidhje

Përleshje në Egjypt


\

\

Përleshje të përgjakshme vazhduan edhe sot në Egjipt, megjithë thirrjen e presidentit të përkohshëm të vendit për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur dhunën. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetsisë thanë sot se 9 veta u vranë gjatë përleshjeve më të fundit mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të presidentit të përmbysur nga pushteti, Mohammed Morsi.

Khaled el-Khateeb, drejtor i departamentit të emergjencës dhe kujdesit intensiv në ministrinë e Shëndetsisë, tha se 6 veta u vranë në luftime sot në mëngjes afër kampusit kryesor të Universitetit të Kairos, ku përkrahësit e ish presidentit Morsi po zhvillojnë një protestë në heshtje.
Ai tha se 3 persona të tjerë u vranë gjatë përleshjeve të djeshme në qytetin Qalioub, në veri të Kajros. Gjithsejt u plagosën 86 veta.

Luftimet pasuan thirrjen e presidentit të përkohshëm egjiptian për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur dhunën pas një vale të re përleshjesh vdekjeprurëse në Kajro.
Presidenti Adly Mansour u tha egjiptianëve në një fjalim që mbajti mbrëmë vonë në televizion se ripajtimi është i domosdoshëm në mënyrë që vendi të ecë përpara.

“Ne duam të hapin një kapitull të ri, të çliruar nga paragjykimet, urrejtjet dhe përçarjet. Ne duhet të inkurajojmë njerëzit që të përpiqen për të mirën e vendit, dhe të mos i shkatërrojmë ata. Është koha që të ripajtohemi me të kaluarën në emër të së ardhmes”.

Zyrtarët e sigurisë thanë se përleshjet e djeshme filluan me hedhjen e gurëve, kur një grup përkrahësish të zotit Morsi kaloi afër Sheshit Tahrir gjatë një marshimi proteste.
Ushtria largoi nga pushteti presidentin Morsi më 3 korrik, pas disa ditë protestash masive nëpër rrugë nga miliona egjiptianë, që kërkonin dorëheqjen e tij.

Përkrahësit e zotit Morsi kërkojnë rikthimin e tij në pushtet, madje ata këmbëngulin se nuk do të marrin pjesë në procesin politik të mbështetur nga ushtria deri sa kjo të ndodhë.

Nuk dihet se ku po mbahet zoti Morsi, ndërkohë që ai nuk ka kontakte me familjen apo përkrahësit e tij. Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se ai është i sigurtë, ata kujdesen për të dhe po mbahet për t’iu siguruar mbrojtja e duhur.
XS
SM
MD
LG