Lidhje

Trafikimi i emigrantëve në Kosovë


Në Kosovë, policia tha se ka arrestuar tetë persona nën dyshimin për përfshirje në trafikim të emigrantëve të paligjshëm. Arrestimet kanë pasuar një operacion në gjashtë qytete të Kosovës. Sipas policisë të arrestuarit dyshohet se kanë transportuar emigrantë për në vendet e Evropës perëndimore.

Deri tash policia ka identifikuar 30 persona që ishin trafikuar nga grupi i dyshuar. Gjatë operacionit janë kontrolluar edhe disa agjenci turistike dhe shtëpitë e të dyshuarve, me ç’rast janë konfiskuar shume dokumente, por edhe armë e municione. Sipas policisë të dyshuarit shfrytëzonin vijat e rregullta të udhëtimit kryesisht nga qytetet e Kosovës në drejtim të Serbisë, për të kaluar fillimisht në Hungari e më pastaj në shtetet tjera evropiane.

Arrestimet e sotme ndodhin në një periudhë të shtimit të numrit të azilkërkuesve nga Kosova të cilët janë duke e shfrytëzuar territorin e Serbisë për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin hungarez dhe prej andej në vendet tjera të Evropës perëndimore. Ministria e jashtme e Kosovës tha se aktualisht rreth 500 qytetarë të Kosovës janë në pritje të riatdhesimit nga Hungaria.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të heqin dorë nga përpjekjet për të siguruar strehim në vendet e Bashkimit Evropian sepse Kosova nuk konsiderohet vend i krizave ku të drejtat themelore ju cenohen individëve të cilësdo përkatësie etnike, fetare apo gjinore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG