Lidhje

Spanjë: Makinisti i trenit në gjyq


A
A
Në Spanjë, makinisti i akuzuar për përplasjen e një treni që la të vdekur të paktën 78 njerëz, u paraqit sot përpara një gjykatësi, ndërkohë që në qytetin Santiago de Compostela, pranë të cilit ndodhi aksidenti, u mbajtën ceremoni mortore për viktimat.

Autoritetet thonë se po hetojnë makinistin Francisco José Garzon Amo, i cili dyshohet për vrasje nga pakujdesia në aksidentin e së mërkurës.

Makinisti 52-vjeçar u arrestua të premten në spital ku po mjekohej nga plagët që mori në aksident.

Ai arriti sonte në gjykatë me pranga në duar, i sjellë me një makinë policie. Garzon e kishte kaluar natën në stacionin kryesor të policisë së qytetit.

Njoftimet thonë se treni që ai drejtonte mund të ketë qenë duke udhëtuar me shpejtësi më shumë se dyfishi i kufirit të lejuar prej 80 kilometrash në orë kur doli nga shinat.

Autoritetet pritet të mësojnë më shumë hollësi nga të dhënat e regjistruara në kutinë e zezë të trenit, e cila ndodhet në duart e hetuesve.

Më tepër se 140 njerëz u plagosën në aksident, dhe autoritetet thonë se numri i të vdekurve mund të rritet.
XS
SM
MD
LG