Lidhje

Papa ndryshon imazhin e kishës


Udhëtimi i Papa Françeskut në Brazil, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit, është duke u përshëndetur si një sukses nga klerikët e lartë të Kishës Katolike. Por kritikët thonë se deri tani Papa i ri ka sjellë një ndryshim në stil, por jo në substancë.

Ai e mbajti vetë çantën e tij gjatë udhëtimit dhe vizitoi një lagje të varfër në Rio de Janeiro.

Gjithashtu, mesazhi i tij për besimtarët e rinj është i veçantë.

"Bëhuni revolucionarë. Kërkoj nga ju që të shkoni kundër rrymës. Po, ju kërkoj të rebeloheni."

Gjatë rrugës së kthimit për në Romë, Papa foli gjatë me gazetarët rreth çështjeve delikate, duke përfshirë edhe priftërinjtë homoseksualë.

"Nëse një person është homoseksual dhe kërkon Zotin dhe ka vullnet të mirë, kush jam unë që ta gjykoj?" tha Papa.

Papa nuk e mohoi mësimin e Kishës që homoseksualiteti është mëkat. Por fjalët e tij reflektojnë një qasje më tolerante ndaj çështjeve të diskutueshme sesa ajo e paraardhësve të tij.

Jon O'Brien është president i organizatës “Katolikët pro zgjedhjes”, e cila kundërshton ndalimin e kishës mbi abortin dhe kontracepsionin.


"Si katolik të jep një ndjesi të mirë të pasurit një udhëheqës, i cili nuk vazhdon të flasë sërish përse nuk mund të përdorim prezervativë; gjithashtu ai nuk po sulmon homoseksualët; nuk po thotë se gratë që abortojnë janë të këqija."

Por zoti O'Brien thotë se fjalët kanë nevojë të pasohen nga ndryshime reale.

"Nuk po shohim shumë veprime nga Papa Françesku, në lidhje me ndryshimin e disa prej mësimeve që janë jashtëzakonisht problematike për katolikët."

Megjithatë, udhëtimi i parë jashtë vendit i Papa Françeskut duket se tregon që ai është i suksesshëm me turmat e mëdha të besimtarëve, diçka e paparë kjo që nga papati i Gjon Palit të Dytë.

XS
SM
MD
LG