Lidhje

Fati politik i Berluskonit


Fati politik i Silvio Berluskonit është në duart e gjykatës më të lartë të Italisë, e cila dëgjoi sot argumentet me të cilat ish-kryeministri apelonte dënimin për mashtrim me taksat. Nëse gjykata e mban në fuqi dënimin, atëherë Berlusconit do t'i hiqej menjëherë vendi në senat dhe ai do të ndalohej të kandidonte për poste publike.

Tetorin e kaluar, 76 vjeçari Berluskoni, u dënua bashkë me tre të tjerë në Milano për mashtrim me taksat në një transaksion kompleks që lidhej me të drejtat televizive për rrjetin e tij Mediaset. Gjykata e dënoi atë me katër vjet burg duke e ndaluar të shërbejë në poste publike për 5 vjet.
Para disa muajsh, një gjykatë apeli e Milanos e la në fuqi vendimin e gjykatës më të ulët dhe ky është apelimi përfundimtar i Berlusconit.

Silvio Berlusconi ka qenë tri herë kryeministër dhe nuk ka ndonjë rol zyrtar në koalicionin e tanishëm qeveritar, por ai vazhdon të jetë njeri me mjaft ndikim dhe luajti rol kyç në faktin që qendra e djathtë u rendit e dyta në zgjedhjet parlamentare të shkurtit.

Ai fitoi një vend në Senat, nga i cili mund të heqë dorë nëse vendimet e gjykatës së ulët konfirmohen.

Gjykata e lartë thjesht do të shqyrtojë nëse gjykatat e tjera kanë bërë ndonjë gabim, por nuk do të dëgjojë dëshmitarë.

Nëse ajo e mban në fuqi dënimin, atëherë Berlusconit do t'i hiqej menjëherë vendi në senat dhe ai do të ndalohej të kandidonte. Megjithatë, nuk ka gjasa që ai të kryejë burg, sepse dënimit të tij do t'i hiqeshin tre vjet në kuadrin e aministisë së përgjithshme që synon boshatisjen e burgjeve.

Gjykata edhe mund ta shfuqizojë vendimin, por raste të tilla janë të rralla.

Në një çështje tjetër penale që ende nuk është dërguar për apelim, Berlusconit mund t'i ndalohen për jetë postet publike nëse mbahet në fuqi dënimi ndaj tij nën akuzat se ka paguar për seks me një të mitur dhe se ka përdorur postin për ta mbuluar këtë. Vendimi i gjykatës për këtë çështje në muajin qershor parashikonte një dënim prej 7 vjetësh në burg.
XS
SM
MD
LG