Lidhje

Imazhet 3-D ndihmojnë kardiologët


Printerat 3-D (3 dimensionalë) janë duke hyrë ngadalë në jetën e përditshme, ndërsa në mjekësi janë duke u përdorur gjithnjë e më shumë. Mjekët në Qendrën Kombëtare Mjekësore të Fëmijëve në Uashington thonë se këta lloj printerash po i ndihmojnë ata në planifikimin dhe kryerjen e operacioneve për pacientët me sëmundje në zemër.

Imazhet me rezonancë magnetike, tomografi me kompjuter dhe me ultratinguj tashmë japin mjaft mirë pamje të organeve të brendshme të pacientëve, por mjekët në Qendrën Kombëtare Mjekësore të Fëmijëve thonë se nuk ka gjë më të mirë sesa ta shohësh zemrën e pacientit para operacionit me përmasa reale 3-D, të cilën ata mund t'a studiojnë, të planifikojnë procedurën dhe madje të praktikojnë qasje në zonën e dëmtuar.

Kardiologia Laura Olivieri thotë se shumë prej pacientëve të rinj në moshë në këtë spital kanë lindur me zemër me defekt, por kirurgët mund t'a korrigjojnë atë.

"Duke parë defektin në zemër në tre dimensione, kjo mund të ndihmojë ndërhyrjen ose planin e kirurgut për procedurën më të mirë."

Rreth 18 muaj më parë spitali bleu një printer 3-D prej 250 mijë dollarësh dhe ekipi i mjekëve po e përdor atë për të përftuar imazhe të organeve të tjera të brendshme të trupit.

Procedura gjithmonë fillon me marrjen e një sërë imazhesh tre-dimensionale me rezonancë magnetike, me skaner kompjuter tomography dhe aparat me ultratinguj. Këto imazhe përzgjidhen me kujdes nga kardiologë pediatër, të kualifikuar për këtë teknologji. Në mënyrë për të kursyer kohë në shtypjen ata nganjëherë edhe i presin pjesët e imazhit të parëndësishëm për procedurën e planifikuar.

Inxhinier Alex Krieger është shqyrtuesi kryesor për ndërhyrje pediatrike kirurgjikale në Qendrën Kombëtare Mjekësore të Fëmijëve.

"Zakonisht duhen rreth dy orë punë në kompjuter për të përpunuar të dhënat që përftojmë nga printeri 3-D dhe për t'a shndërruar një zemër në imazh të plotë tre dimensionesh si kjo, duhen rreth 12 orë. Për një zemër të vogël duhen ndoshta pesë, gjashtë orë."

Inxhinjer Krieger thotë se në një rast ekipi i tij shtypi një model të zemrës së një pacienti me stenozë, apo ngushtim i kalimit mes dy dhomave të zemrës. Kardiologu kërkoi për të parë saktësisht se çfarë lloj stenti ai duhet të përdorte, si dhe mënyrën e ndërhyrjes dhe sa kohë do të zgjaste operacioni.

"Pra, ky model apo imazh 3-D e lejoi kirurgun për të shqyrtuar, planifikuar dhe zgjedhur procedurën më të mirë të mundshme."


Aparati printon duke spërkatur shtresa plastike, një-mbi-një të shoqëruara me rrezet ultra-vjollcë. Inxhinjer Krieger thotë se printeri mund të mbushet me dy solucione të ndryshme që e bëjnë imazhin të duket thuajse objekt i vërtetë, me inde të forta e të buta.

Kardiologia Laura Olivieri thotë se mjekët kanë ende për të mësuar shumë rreth procedurës së re.

"Kjo është një fushë krejt e re dhe mendoj se ende nuk e njohim kapacitetin e plotë të saj. Eshte fjala për një teknologji që krijon mundësi të mëdha dhe ne ndodhemi mes këtyre mundësive."


Ekziston gjithashtu shpresa se një ditë edhe spitale të tjera do të jenë në gjendje të kenë në dispozicion një teknologji të tillë.

Ky është qëllimi përfundimtar, por mbetet ende punë për të bërë në rrugën për shtypjen e organi të plotë në 3 dimensione, që shpëton jetë njerëzish dhe ngazëllen shumë mjekë.
XS
SM
MD
LG