Lidhje

Rama prezanton emrat e ministrave

  • Armand Mero

Ditmir Bushati drejton diplomacinë. Tahiri Ministrinë e Brendshme. Në qeverinë e ardhshme 6 gra ministre: Mimi Kodheli në krye të Mbrojtjes. Pesë dikastere për LSI

Në Shqipëri kryeministri i ardhshëm Edi Rama paraqiti sot përbërjen e qeverisë që ai pritet të drejtojë që prej ditëve të para të shtatorit. Për herë të parë në kabinetin e përbërë nga 21 anëtarë përfshihen 6 gra. Në qeverinë e re përfaqësohet vetëm Lëvizja socialiste për Integrim e cilësuar si “partneri strategjik me të cilin – tha zoti Rama – socialistët marrin përsipër peshën e pashmangshme të mandatit plebishitar të 23 qershorit”, duke shpjeguar në këtë mënyrë mungesën e përfaqësimit të aleatëve të tjerë në kabinetin e tij.

Pasi paraqiti disa ditë më parë strukturën e qeverisë së re, kryeministri I ardhshëm I vendit Edi Rama bëri sot publike edhe njerëzit me të cilët ai do të drejtojë vendin për katër vitet në vijim. Përpara se të fliste për emrat zoti Rama theksoi se qveria e re është "mishërim i përgjegjësisë për ndarjen sa më të mirë të detyrave brenda shumicës së majtë" e cila korri një fitore të bujshme më 23 qershor: “Shqiptarët na votuan për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë duke filluar nga ndryshimi i modelit qeverisës; I vijës sjelljes së kryeministrit e të ministrave me publikun e me interesin kombëtar e publik; I raportit me të vërtetën, me votuesit dhe me ligjin. Për t’i paraprirë këtij ndryshimi qysh në përzgjedhje, është ndërtuar një skuadër me thuajse 90% të njerëzve që ulen për herë të parë në karrigen ministrore, dhe me më shumë gra se ndoshta ç’kanë pasur të gjitha qeveritë e Shqipërisë të marra së bashku në këto njëzet vjet”.

Dhe në të vërtetë, janë gjashtë gratë të cilat do të ulen në qeverinë e ardhshme. Madje për herë të parë do të jetë një grua, socialistja Mimi Kodheli e cila do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes. Kabineti i zotit Rama do të ketë 21 anëtarë. Lëvizja socialiste për Integrim përfaqësohet me 5 ministra të cilët do të drejtojnë Integrimin, Drejtësinë, Transportet dhe Infrastrukturën, Bujqësinë dhe Mjedisin. Socialistët kanë mbajtur për vete dikastere kyce si diplomacinë, e cila do të drejtohet nga Ditmir Bushati, ministrinë e Brendshme e cila i është besuar Sajmir Tahirit, Mbrojtjen apo dhe sektorë të konsideruar si prioritar prej tyre Shëndetësia, Arsimi dhe Zhvillimi urban e Turizmi. Në qeverinë e tij zoti Rama ka ftuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile, duke I besuar Kulturën një emri të njohur në botën e letrave dhe publicistikës Mirela Kumbaro.

Kryeministri i ardhshëm shpjegoi se përfaqësimi në kabinetin e tij vetëm i LSI-së tha se është shenjë e përgjegjësisë së plotë që të dy palët kanë marrë përsipër për t’I bërë ballë sfidave që ka vendi. Ndërsa tha se me aleatët e tjerë janë në proces diskutimi për të ndajnë qeverisjen në nivele të tjera duke siguruar “se do të ndajmë përgjegji dhe jo parcela, do të ndajmë peshën e madhe të mirëqeverisjes por nuk do ndajmë drejtori për partitë, do ndajmë së bashku rrugën e ndritur të betejës së madhe për një rilindje shqiptare”

Zoti Rama garantoi një angazhim të të gjithë ekipit të tij qeveritar për të drejtuar vendin me duar të pastra: “Qeveria e Re nuk do të jetë tribuna tradicionale e dukjes së pushtetit, po tryeza e punës së palodhur, për të justifikuar me përkushtimin më të madh pritshmëritë e jashtëzakonshme të popullit shqiptar, ndaj nesh si aleancë dhe ndaj meje vetë si kryeministër. Dua t’ju siguroj ju dhe publikun për një gjë: Detyra e kryeministrit do të jetë imja po pushteti do të jetë i popullit dhe nga dita e betimit çdo ministër do të rrijë në detyrë vetëm duke i shërbyer me nder e duar të pastra popullit të vet”.

Ndërsa zoti Rama sapo kishte lexuar emrat e kabinetit të ri, nga tryeza e qeverisë së tij, kryeministri Berisha do të ironizonte me disa prej ministrave të ardhshëm duke shtuar se “Asgjë të re nga fronti i perëndimit - thotë Erih Maria Remark. Asgjë të re nga fronti i 1 prillit. Asgjë e re, të themi atë që është, përveç faktit që prania e disa zonjave më shumë në qeveri përbën një hap qartësisht pozitiv. Kjo nuk mund të mohohet. Për të tjerat, shih e shkruaj”.

Formimi i qeverisë së re në fillim të shtatorit të ardhshëm do të sjellë ndryshime në mbi 10 përqind të parlamentit duke qenë se ministrant do të heqin dorë nga mandati I deputetit, ndërkohë që përfshirja e kryetarit të bashkisë së Korcës Niko Peleshi si zëvendëskryeministër pritet të cojë në zgjedhje të reja për drejtuesin e ardhshëm të këtij qyteti.



PERBERJA E QEVERISE SE ARDHSHME

Kryeministri Edi Rama
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi
1- Ministria e Financave Shkelqim Cani
2- Ministria e Brendshme Sajmir Tahiri
3- Ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli
4- Ministria e Jashtme Ditmir Bushati
5- Ministria e Integrimit Europian Klajda Gjosha

6- Ministria e Drejtësisë Nasip Naco
7- Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj
8- Ministria e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri
9- Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto
10-Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni
11-Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Administrimit të Ujërave Edmond Panariti
12-Ministria e Shëndetësisë Ilir Beqja
13-Ministria e Arsimit dhe e Sportit Lindita Nikolla
14-Ministria e Mirëqënies sociale dhe Rinisë Erion Veliaj
15-Ministria e Mjedisit Lefter Koka
16-Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro

Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito
Ministër Shteti për Çështjet Vendore Bledar Cuci
Ministër Shteti për Marrëdhëniet me parlamentin Ilirjan Celibashi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG