Lidhje

KQZ nuk certifikon zgjedhjet

  • Armand Mero

Në Shqipëri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi sot pamundësinë për të bërë certifikimin e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe çështja i kaloi Kolegjit zgjedhor, i cili nisi pasdite marrjen e vendimeve për secilin prej 12 qarqeve.

Vendimi i Komisionit, siç edhe ishte parashikuar, u kushtëzua nga mungesa e tre anëtarëve të dorëhequr, duke qenë se shpallja e rezultateve përfundimtare dhe shpërndarja e mandateve mund të bëhet me një minimum prej pesë vetash.

Po sot pasdite, këtë procedurë të fundit të zgjedhjeve nisi ta bënte Kolegji zgjedhor i cili u vu në lëvizje nga një kërkesë e Partisë Socialiste e paraqitur gjatë ditës së djeshme. Trupat e gjyqtarëve po bëjnë certifikimin e rezultatit dhe ndarjen e mandateve në mënyrë të vecantë për secilin prej 12 qarqeve.

Me këtë akt pritet të mbyllet përfundimisht kapitulli i procesit zgjedhor të 23 qershor, në bazë të të cilit e majta ka 83 vende kundrejt 57 vendeve që i takojnë të djathtëve në parlamentin e ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG