Lidhje

Largohet personeli nga konsullata në Lahore


Departamenti amerikan i Shtetit ka dhënë urdhër për largimin e të gjithë personelit jo të domosdoshëm nga konsullata amerikane në Lahore të Pakistanit, për shkak të disa "kërcënimeve konkrete".

Zëdhënësja e ambasadës amerikane në Islamabad, Megan Gregoris, tha se fjala ishte për një "masë kujdesi", pas informacioneve të marra nga Departamenti i Shtetit lidhur me një kërcënim ndaj konsullatës në Lahore.

Departamenti i Shtetit nxori gjithashtu një paralajmërim për shtetasit amerikanë që të shtyjnë për më vonë planet për udhëtime në Pakistan, për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë në këtë vend të Azisë Jugore.

Në një deklaratë të publikuar dje, thuhej se prania e një numri grupesh terroriste paraqet një "rrezik të mundshëm" ndaj shtetasve amerikanë në të gjithë Pakistanin. Zonja Gregoris tha se tani për tani kërcënimi është i kufizuar në Lahore, por nuk është e qartë nëse kjo ka lidhje me kërcënimin për terror që çoi në mbylljen e 19 misioneve diplomatike në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.
XS
SM
MD
LG