Lidhje

Kompania e lidhur me Snowdenin ndërpret shërbimin e-mail


Një firmë që ofron e-mail-e të koduara në Shtetet e Bashkuara, e cila mendohet të jetë përdorur nga ish kontraktuesi i agjencive të zbulimit Edward Snowden, njoftoi se e ka ndërprerë këtë shërbim, me sa duket për shkak të trysnisë nga qeveria.

Kompania Lavabit ka vendosur një mesazh në faqen e saj të internetit duke thënë se shërbimi për e-mail-e të koduara është ndërprerë. Pronari i firmës Ladar Levison shkruan në mesazhin e tij se ai nuk mund t’i bëjë publike arësyet, për shkak të ligjeve kundër nxjerrjes së këtij informacioni. Ai thekson se ka paraqitur dy herë kërkesë pranë autoriteteve përkatëse për të lejuar publikimin e informacionit.

Në mesazhin e vendosur në faqen e internetit thuhet se firma po përgatitet për një betejë ligjore lidhur me këtë çështje dhe në të përmbahet një paralajmërim për të tjerët që “të mos ia besojnë të dhënat e tyre private kompanive që janë me seli në Shtetet e Bashkuara”.

Para se të pezullonte shërbimin për e-mail-et e koduara, zoti Lavabid u premtonte klientëve se e-mail-et e dërguar përmes kompanisë së tij, do të kodoheshin në një mënyrë të tillë, që të mos lexoheshin dot pa patur fjalëkalimin e përdoruesit.
XS
SM
MD
LG