Lidhje

Gjeorgjianët dhe të drejtat e homoseksualëve


Ndërsa të drejtat e homoseksualëve janë përhapur në vendet perëndimore, ndaj tyre po ndërmerren masa të ashpra shtypëse në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Ligji i ri i Rusisë, i cili ndalon atë që cilëson si “propaganda e homoseksualëve”, po shkakton thirrje prej Perëndimit për bojkote të prodhimeve dhe aktiviteteve ruse. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim Gjeorgjisë, ku Kisha Orthodokse e vendit u përball drejtpërdrejt me aktivistët e të drejtave të homoseksualëve.

Të udhëhequr nga priftërinj të Kishës Orthodokse Gjeorgjiane, mijëra njerëz marshuan majin e kaluar për të bllokuar një miting për të drejtat e njeriut të homoseksualëve në kryeqytetin e vendit, Tbilisi.
Ata mbanin tabela... hidhnin parulla duke kënduar dhe kishin marrë hithra për të goditur personat homoseksualë.

Më pas, ata thyen kordonin e policisë.

Duke brohoritur “Vritini, vritini,” protestuesit rrethuan një furgon ku aktivistët homoseksualë ishin strehuar.

Askush nuk u vra atë ditë dhe lëndimet ishin të lehta.

Shalva Kekelia ishte një nga 200 priftërinjtë e pranishëm. Ai thotë se shumica e priftërinjve u përpoqën të parandalonin dhunën.

"Ne u thamë personave homoseksualë se duhet të largoheshin, pasi ne nuk mund të ndalonim sulmin e turmave ndaj tyre. Por ata refuzuan dhe ishin vërtetë agresivë. Pra, ne nuk mundëm të bënim asgjë për ta ndaluar dhunën."

Ai thotë se homoseksualiteti duhet të mbahet larg syve të njerëzve në Gjeorgji.

"Për ne kjo është absolutisht e pabesueshme. Ne e kuptojmë që ekziston liria që të gjithë të bëjnë çfarë të duan, por ne nuk duam që ata të predikojnë homoseksualitetin, sepse është një mëkat."

Si shumë gjeorgjianë, kleriku Kekelia e sheh tolerancën ndaj homoseksualitetit si një import të huaj.

"Në Evropë, gjithmonë përpiqen të na mësojnë se çfarë duhet të bëjmë. A mendojnë ata se jemi të metë dhe nuk dimë se çfarë duhet të bëjmë?"

Por në një lokal aty pranë, David Shubladze, një aktivist homoseksual, thotë se Gjeorgjia ka dhe shumë njerëz tolerantë.

"Ka pasur manifestime që na mbështesin, të organizuara jo nga njerëz LGBT, por nga qytetarë të zakonshëm gjeorgjianë. Ata mblodhën 15 mijë firma dhe i dorëzuan në parlament, në mënyrë që të niseshin hetime për dhunën e 17 majit."

Kur një deputet i partisë në pushtet vuri në pikëpyetje firmat, njerëzit publikuan foto të tyre në një faqe në Facebook, disa me shënime që thoshin: “Unë firmosa dhe jam vërtet një person”.

Për shkak të presionit publik, u thye një tabu: dy priftërinj dolën në gjyq, nën akuza për ushtrim dhune dhe kërcënime gjatë ndërhyrjes kundër një demonstrate.
Alexander Rondeli, drejtor i një instituti hulumtimesh, thotë se pasojat e dhunës anti-homoseksuale ishin pozitive.

"Ajo që ndodhi nuk ishte diçka e keqe, sepse tabuja e mosndëshkimit të kritikës së Kishës u thye. Tani shumë njerëz kritikojnë Kishën."

Kryeministri gjeorgjian Bizdina Ivanishvili thotë se qeveria e tij i mbron pakicat.

"Tre ditë më vonë, i njëjti grup ishte në gjendje të zhvillonte një tubim paqësor. Policia veproi me shumë efikasitet dhe ata që nxitën turmën kundër pakicave u ndëshkuan. Ishte një shembull shumë i qartë i veprimeve të qeverisë në mbrojtje të pakicave."

Ndërsa kjo shoqëri tradicionale përparon në shekullin e 21-të, mund të pritet që brezi i ri i Gjeorgjisë të ballafaqohet me shumë ndryshime të tjera shoqërore.

XS
SM
MD
LG