Lidhje

Bashkia e Përmetit rimerr pallatin e Kulturës


Kryeministri Berisha e ka konsideruar “të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e brendshme të Shqipërisë deklaratën e djeshme të autoriteteve greke”

Bashkia e Përmetit rimori sot në administrim godinën e pallatit të Kulturës e cila dje u zu forcërisht nga një grup besimtarësh dhe klerikësh ortodoksë. Sipas burimeve lokale policia private u vu në ruajtje ndërkohë që dritaret dhe muret po mbyllen nga punonjësit e bashkisë deri në rikonstruksionin e godinës.Kisha vazhdon ndërkaq të pretendojë se megjithë vendimet e gjyqësorit objekti i përket asaj dhe duhet të kthehet në kishë.

Po sot pasdite për situatën e krijuar në Përmet ka reaguar edhe kryeministri Sali Berisha i cili e ka konsideruar “të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e brendshme të Shqipërisë deklaratën e djeshme të autoriteteve greke”.
Në deklaratën e tij zoti Berisha shprehet se “Shqiperia ka të gjitha mundësitë dhe mjetet ligjore për garantimin e shtetit të së drejtës, veprimtarisë normale të institucioneve të vendit dhe atyre të huaja si dhe për t’iu përgjigjur shkelësve të rendit dhe provokimeve të cdo lloji”.
Lidhur me situatën e krijuar në Përmet kryeministri shqiptar shprehet se përmbarimi ka ekzekutuar një vendim përfundimtar gjyqësor. Ndërsa vlerëson se “zbatimi i vendimeve të gjykatave është themeli i funksionimit te shtetit ligjor” ai dënon nga ana tjetër mënyrën e veprimit nga ana e Përmbarimit duke u shprehur se “ky ishte një ofendim i rëndë për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe për të gjithë besimtarët shqiptarë”. Zoti Berisha konsideron gjithashtu të gabuara “qëndrimet e djeshme të disa qytetarëve por dhe të ndonjë të kleriku”.
Në deklaratën e tij ai shton se i ka kërkuar “Kryetarit te Komitetit te Kulteve që së bashku me autoritetet vendore të Përmetit dhe ato fetare, të bëjnë verifikimet e nevojshme dhe propozimet respektive për një zgjidhje përfundimtare jashtë të gjitha abuziviteteve dhe praktikave të dënueshme ateiste”, nënvizon deklarata e kryeministrit Berisha.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG