Lidhje

Segmenti i fundit me regjistrimet e Niksonit


Inauguration Project - Richard Nixon

Inauguration Project - Richard Nixon

Në Los Anxheles u bënë publike 340 orët e fundit me regjistrime nga telefonatat dhe takimet e Presidentit Richard Nixon në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1973. Regjistrimet bëheshin fshehurazi, me urdhër të presidentit dhe përfshinin diskutime për çështje të rëndësishme të politikës së brendshme dhe të jashtme amerikane.

Biblioteka dhe Muzeu Nixon në Los Angeles thotë se segmenti i fundit mbulon periudhën nga 9 prilli në 12 korrik 1973, dita para se ekzistenca e sistemit të fshehtë të regjistrimit të bëhej e ditur në një komision të Senatit që po hetonte skandalin e Uotergejtit.

Shiritat e regjistrimit përfshijnë diskutime për çështje të tilla si Uotergejti, Vietnami, dhe takimi i nivelit të lartë mes Presidentit Nixon dhe udhëheqësit sovjetik, Leonid Brezhnjev në vitin 1972.

"Është tepër interesante të dimë se çfarë mendonte ai për udhëheqësit e tjerë. Dhe pikërisht këtë mësojmë nga këto regjistrime, mendimet e tij të hapura dhe bisedat e tij me njerëz si Brezhnjevi. Është shumë e rëndësishme që studiuesit të dëgjojnë se ç'bisedohej në Zyrën Ovale mes këtyre udhëheqësve shumë të rëndësishëm.''

Figurat politike që përfshihen në këto regjistrime janë tre politikanë që më vonë do të pasonin Presidentin Nixon në Shtëpinë e Bardhë: Gerald Ford, Ronald Reagan dhe George H.W.Bush.

Biblioteka Nixon zbuloi gjithashtu për publikun më shumë se 140,000 faqe tekst.

Segmenti në fjalë përmbyll procesin e publikimit të 3 mijë orë regjistrimeve në shirit manjetik mes shkurtit 1971 dhe korrikut 1973.

Mandati i dytë presidencial i zotit Nixon u përfshi nga skandali, kur disa persona hynë fshehurazi në selinë e Partisë Demokrate në kompleksin e apartamenteve Uotergejt të Uashingtonit në vitin 1972. Vjedhësit, që kishin lidhje me komisionin për rizgjedhjen e Niksonit u kapën kur po përpiqeshin të gjenin material për diskreditimin e kundërshtarëve të tyre politikë.

I përballur me akuza kriminale se ishte përpjekur të mbulonte vjedhjen si dhe me fillimin e procedurave për shkarkimin e tij si president, Zoti Nixon dha dorëheqjen më 9 gusht 1974. Ai u fal pas një muaji nga pasuesi i tij, Presidenti Gerald Ford.
XS
SM
MD
LG