Lidhje

SHBA shqyrtojnë alternativat ushtarake në Siri

  • Luis Ramirez

Administrata e Presidentit Obama po shqyrton alternativat nëse do të ndërmarrë sulme kundër Sirisë, pas një sulmi me armë kimike, që shkaktoi vdekjen e qindra civilëve javën e kaluar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Pentagon, Luis Ramirez sjell hollësi.

Imazhet e civilëve të masakruar po shtojnë presionin mbi administratën Obama për të vendosur nëse ka ardhur koha për t’u angazhuar në konfliktin sirian.
Dje, Sekretari i Shtetit, John Kerry tha se ka fare pak dyshim se qeveria siriane përdori armë kimike kundër popullit të vet.

“Ajo që pamë në Siri javën e kaluar duhet të trondisë ndërgjegjen e botës. Ajo shpërfill çdo kod moral. Dua të jem i qartë. Vrasjet padallim të civilëve, vrasjet e grave, fëmijëve dhe personave të pafajshëm të rastit nga armët kimike janë një çmënduri morale. Në bazë të çdo standarti, ky veprim është i pafalshëm, dhe me gjithë arsyetimet dhe argumentat që janë përpjekur të bëjnë disa njerëz, përdorimi i armëve të tilla është i pamohueshëm”.


Megjithatë nuk është bërë ende ndonjë deklaratë nëse dhe kur Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me përdorimin e forcës ushtarake.

Ndërsa 4 destrojerë janë të pozicionuar në Mesdhe në një distancë sulmi ndaj Sirisë, zyrtarë të Pentagonit janë në pritje të urdhërave për të sulmuar.
Gjatë një ndalese në Indonezi, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë të gjitha alternativat.

“Ne po analizojmë të gjithë informacionin e zbulimit dhe do të grumbullojmë të gjitha faktet dhe nëse ndërmeret ndonjë veprim, ai do të ndërmerret së bashku me komunitetin ndërkombëtar dhe në përputhje me ligjin”.

Ndërhyrja në Siri është e shoqëruar me rreziqe për administratën Obama, përfshirë edhe rreziqe politike. Pas konflikteve të gjata në Irak dhe në Afganistan, ka pak mbështetje mes publikut amerikan për angazhim në një konflikt tjetër në Lindjen e Mesme.

Për momentin, forcat amerikane janë gati të kryejnë sulme me raketa kruz kundër objektivave të qeverisë siriane.

Michael Rubin i Institutit Amerikan Enterprise e cilëson një skenar të tilla një qëndrim të kufizuar, por ai thotë se ekziston rreziku që konflikti të përshkallëzohet dhe të përhapet.

“Administrata Obama po shqyrton me kujdes kërcënimin e hakmarrjes jo vetëm kundër objektivave amerikane, por edhe vendeve aleate”.

Frika e hakmarrjes është e dukshme në Izrael, ku njerëzit janë pajisur me maska gazi.

Zyrtari më i lartë ushtarak amerikan, Gjenerali Martin Dempsey, ka paralajmëruar se çdo angazhim në Siri mund të çojë në një konflikt pa fund.

Dilema për zyrtarët amerikanë është e mjegulluar nga mësimet e Irakut, por në Kosovë, angazhimi amerikan ishte si i kufizuar edhe i efektshëm.
Këshilltarët amerikanë të sigurimit thonë se administrata Obama po shqyrton precedentin e krijuar në vitin 1999, kur Shtetet e Bashkuara e justifikuan fushatën e sulmeve ajrore në Kosovë, duke thënë se ajo kishte për qëllim mbrojtjen e civilëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG