Lidhje

Analistët: SHBA sulme me objektiv të qartë në Siri


Zyrtarë amerikanë thonë se nuk ka dyshim që qeveria siriane ka përdorur armë kimike kundër popullit të vet. Administrata e Presidentit Obama po shqyrton një përgjigje të asaj që e ka quajtur shkelje flagrante të ligjeve ndërkombëtare nga regjimi i Damaskut. Kundërshtarët e Presidentit Bashar al-Assad mbështesin një sulm të gjithanshëm ndaj forcave të tij, madje largimin e tij nga pushteti. Por analistët thonë se një sulm amerikan do të jetë i kufizuar në shkatërrimin e bazave të armëve kimike të Sirisë. Zlatica Hoke e Zërit të Amerikës sjell më shumë hollësi.

Shtetet e Bashkuara thonë se është e qartë se ushtria siriane përdori armë kimike kundër popullit të vet. Nën-presidenti Joe Biden tha dje se Damasku duhet të vihet para përgjegjësisë për shkelje të tilla të ligjeve ndërkombëtare.

“Ne e dimë që regjimi sirian është i vetmi që zotëron armë kimike, i ka përdorur këto armë shumë herë në të kaluarën, ka mjetet për t’i përdorur ato dhe ka qënë i vendosur të shfarosë zonat në të cilat përdori armët kimike”.

Zyrtarët amerikanë thonë se Uashingtoni po diskuton me aleatët rreth një përgjigje të përbashkët kundër Sirisë. Analisti politik, Michael Rubin thotë se Shtetet e Bashkuara ka shumë të ngjarë të kryejnë sulme të kufizuara ushtarake me objektiva të qarta.

“Besoj se ne jemi në prag të kryerjes së një sulmi ushtarak. Mendoj se do të jetë një sulm me raketa kruz me qëllim që pilotët amerikanë të mos rrezikohen dhe ndoshta krahasimi më i mirë i këtij sulmi mund të bëhet me sulmet ajrore gjatë administratës së presidentit Clinton kundër Sudanit dhe Afganistanit në vitin 1998 pas shpërthimeve në ambasadat amerikane në Kenia dhe në Tanzani”.

Një udhëheqës i forcave të opozitës në Siri tha se kryengritësit do të mirëprisnin çdo ndërhyrje të huaj, që do të largonte nga pushteti presidentin Bashar al-Assad.

“Duke pasur parasysh ato që u ka ndodhur familjeve dhe popullit tonë dhe çfarë u ndodhi fëmijëve në Damask, natyrisht që ne mbështesim çdo sulm. Jo vetëm që mbështesim sulmet e huaja, por ne i kërkojmë komunitetit ndërkombëtar që të na mbështesë dhe të godasë rëndë regjimin e Damaskut. Për ne është e vështirë të veprojmë vetëm. Ne nuk kemi kapacitet të mjaftueshëm për t’i dhënë fund regjimit, që ka sunduar për më shumë se 50 vjet”.

Por analistët thonë se komuniteti ndërkombëtar nuk ka të ngjarë të ndërmarrë një fushatë më të gjerë ushtarake kundër qeverisë së al-Assadit. Analisti Rubin thotë se ekziston një shqetësim i madh se pas një sulmi ajror, konflikti i armëve kimike mund të shtrihet në vendet fqinje. Ai thotë se një qeveri që përdor armë kimike kundër popullit të vet, as që do të hezitonte t’i përdorte ato kundër turqve, jordanezëve, libanezëve dhe izraelitëve.

Pas më shumë se dy vjet luftimesh kundër një force qeveritare shumë më të armatosur, sirianët janë skeptikë rreth ndonjë ndihme nga Perëndimi.

“Në radhë të parë, nëse sulmi kryhet, ai do të kryhet thjesht për propagandë. Sulmi nuk do të jetë kundër regjimit, por do të kryhet që askush të mos thotë se armë kimike u përdorën kundër fëmijëve dhe vendet e mëdha të botës nuk ndërhynë për ta ndalur”.

Një zëdhënës i administratës së presidentit Obama e bëri të qartë se ndryshimi i regjimit në Damask nuk është pjesë e politikës amerikane. Ai tha se administrata po diskuton si të përgjigjet ndaj shkeljes së ligjeve ndërkombëtare, që ndalojnë përdorimin e armëve kimike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG