Lidhje

Përpjekje për lirimin e një koreano-amerikani


Shtëpia e Bardhë do të dërgojë një diplomat të lartë në Korenë e Veriut për të kërkuar lirimin e një koreano-amerikani, misioner i krishterë, i cili është dënuar me 15 vjet punë të rëndë fizike.

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se i dërguari i posaçëm për Çështjet e të Drejtave të Njeriut në Korenë e Veriut, Robert King do t’i kërkojë autoriteteve të koreanoveriore që të lirojnë zotin Kenneth Bae, bazuar mbi të drejtat njerëzore, kur ai të shkojë të premten në Phenian.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për gjendjen shëndetësore të 44-vjeçarit Bae, i cili njoftohet se është çuar nga kampi i punës së detyruar në një spital, pasi ka humbur 23 kilogramë dhe ka patur probleme me veshkat dhe mëlçinë.

Autoritetet e arrestuan Kenneth Baen në nëntor, kur ai shkoi në Korenë e Veriut, duke e akuzuar atë për përpjekje për të rrëzuar qeverinë. Pheniani nuk ka komentuar publikisht për lajmin mbi vizitën e zotit King, por Departamenti i Shtetit thotë se vizita e tij po bëhet me ftesën e qeverisë koreanoveriore.
XS
SM
MD
LG