Lidhje

Shqipëri, mblidhet parlamenti i ri


Koalicioni i majtë i dorëzon presidentit Nishani kërkesën për dekretimin e zotit Rama si kryeministër. Basha mbledh grupin parlamentar: Opozitë e fortë e moderne.

Në Shqipëri u mblodh sot pasdite, në seancën e tij të parë, parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, i cili kontrollohet nga e majta. Të djathtët, pas 8 vitesh në pushtet, deklaruan sot se do të jenë një opozitë e fortë dhe moderne, që do të kontrollojë hap pas hapi qeverinë e re dhe mbajtjen nga ana e saj të premtimeve të bëra. Kryeministri Sali Berisha dhe kabineti i tij dhanë sot dorëheqjen, duke i hapur rrugën procedurave për kabinetin e ri që pritet të drejtohet nga zoti Rama.

Sot në mbrëmje koalicioni i majtë i dorëzoi presidentit Bujar Nishani kërkesën për dekretimin e zotit Rama si kryeministër i vendit.

Seanca e parë e parlamentit zgjati më pak se gjysmë ore. I vetmi vendim i tij ishte ngritja e komisionit të verifikimit të mandateve. Komisioni mblidhet nesër për të zgjedhur drejtuesit e vet. Kryetari i parlamentit pritet të jetë udhëheqësi i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Seanca e sotme do të duhej të drejtohej, sipas rregullores, nga kryeministri Sali Berisha, duke qenë se është deputeti më i vjetër në moshë. Por ai refuzoi ta bëjë këtë dhe seanca u drejtua nga deputeti socialist Namik Dokle. Zoti Berisha dha sot në mesditë, formalisht dorëheqjen nga drejtimi i qeverisë, pasi doli nga mbledhja e grupit parlamentar të partisë së tij që për herë të parë u drejtua nga kryetari i ri Lulzim Basha.

Ashtu si dhe zoti Rama gjatë tetë viteve në opozitë, edhe ai, duke qenë kryetar i Bashkisë, do të drejtojë në distancë grupin e tij në parlament. Zoti Basha premtoi një opozitë të fortë e moderne, të ndryshme nga modeli i opozitës socialiste, siç theksoi ai: “Ne fillojmë një opozitë të re, përballë një shumice që është votuar me një program antireformist, populist dhe etatist, tipik për të majtat e vjetra asistencialiste të viteve gjashtëdhjetë, të tejkaluara prej kohësh nga të majtat e reja europiane. Nuk do të jemi opozita e baltës, e spekulimeve, shpifjeve apo dhunës verbale. Do të jemi opozita e fakteve, opozita e gjykimeve të shëndosha, opozita e arsyes. Ne do t’i përmbahemi vlerave të guximit, etikës dhe klasit që karakterizon kulturën politike të qendrës së djathtë”.

Ndërsa tha se të djathtët nuk tremben nga asnjë lloj verifikimi nga ana e shumicës së re të akteve të ndërmarra gjatë qeverisjes së tyre, zoti Basha, akuzoi të majtën se ka vjedhur e blerë vota për të tjetërsuar rezultatin, duke deklaruar se prioritet do të jetë monitorimi i premtimeve të bëra: “Dëshiroj ta garantoj në emrin tuaj qeverinë e re, se ne nuk do t’i japim paqe asnjë minutë, për sa u takon mbajtjes prej saj të premtimeve. Kush tërhiqet nga premtimet, duhet të përballet me pasojat”.

Një vend të vecantë në fjalën e zotit Basha zuri vlerësimi maksimal për 8 vitet e qeverisjes Berisha, ndërsa premtoi se në opozitë do të japin të gjithë mbështetjen për procest e integrimit europian, e jo duke e bllokuar atë sic bëri e majta, u shpreh ai.

Por sot, nga ana e tij kryeministri i pritshëm Edi Rama premtoi përshpejtimin e procesit të integrimit ndërsa njoftoi një vizitë në Bruksel ku do të takohet me drejtuesit e të gjithë institucioneve europiane: “Është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, është momenti për të mos lënë që treni i Europës të vazhdojë të largohet prej nesh, por për ta kapur atë një orë e më parë dhe për të hyrë në një fazë të re të procesit të integrimit europian”, tha zoti Rama.

Zoti Rama do të vizitojë Brukselin të hënën dhe të martën e ardhshme dhe pritet të ketë takime dhe në selinë e Natos, organizatë në të cilën Shqipëria është anëtare. Vizita në Bruksel realizohet në një kohë kur brenda javës pritet që qeveria e zotit Rama të nisë zyrtarisht punën. Pas nxjerrjes së dekretii nga presidenti që ngarkon zotin Rama me formimin e qeverisë së re, do të paraqitet te presidenti edhe përbërja e kabinetit të ri. Të majtët presin që këto procedura të mbyllen me shpejtësi në mënyrë që të mërkurën të nis prezantimi dhe debati mbi programin e qeverisë së re dhe të enjten të bëhet votimi i saj.
XS
SM
MD
LG