Lidhje

Rastet e vdekjes nga mbipesha

  • Astrit Lulushi

Eshtë thënë edhe më parë, se mbipesha është e keqe për shëndetin. Por a mund të jetë ajo më e keqe sesa mendohet? Një studim i ri jep shifra befasuese se mbipesha mund të kontribuojë në gati një në pesë vdekje. Kolegu ynë Astrit Lulushi sjell më shumë hollësi për këtë dhe të reja të tjera nga fusha e mjekësisë.
Studimi u financua nga fondacioni Robert Wood Johnson. Shkencëtarët shqyrtuan të dhënat shëndetësore të më shumë se 700 mijë personave gjatë një periudhe 20-vjeçare.
Studiuesit konstatuan se 18 për qind të të gjitha vdekjeve në Amerikë lidheshin me obesitetin. Studimet e mëparëshme kanë treguar se kjo shifër ishte vetëm 8 për qind në meshkuj dhe 12 për qind në femra.
Autorët e studimit shqetësohen se kjo masë të këqiash ndaj shëndetit që sjell mbipesha mund të zbehë përfitimet e arritura prej dekadash në fushën e jetëgjatësisë.
Zgjidhja është në duart e secilit – ushtrime fizike dhe dietë të shëndetshme – thonë autorët. Humbni peshë! – Jeta juaj mund të jetë ajo për të cilën autorët e studimi janë duke folur.
Facebook dhe dëshpërim
Kush mendon se Facebook-u është mënyrë e mirë për të qëndruar në kontakt me miqtë, nuk është vetëm. Më shumë se një miliard njerëz përdorin këtë rrjet shoqërimi virtual.
Por tani, një studim i ri tregon se e gjithë kjo lidhshmëri me njëri-tjetrin nuk i bën njerëzit të ndjehen më mirë apo të gëzuar.
“Të pëlqen një gjë?” – zgjidh “like”. Nëse ke për të thënë diçka – klik “comment” dhe shkruaj. Lehtësia është e madhe, por a sjell kjo kënaqësi? “Ndoshta jo”- përgjigjet studimi i ri nga shkencëtarë të Universitetit të Miçiganit, të cilët zbuluan se sa më shumë kohë që njeriu shpenzon në “Facebook“, aq më pak gjasa ka që të ndjehet mirë.
Shkencëtarët shqyrtuan për 2 javë, 82 të rinj e të reja- që ishin përdorues aktivë të Facebook-ut nëpërmjet aplikimit “facebook mobile” në telefon.
Rezultatet treguan se personat që u angazhuan më shpesh në Facebook, ndjeheshin më të dëshpëruar, më të mërzitur, më melankolikë – ata gjithashtu thanë se ishin më pak të kënaqur me jetën e tyre reale në përgjithësi, në krahasim me të tjerët që e përdornin me pak këtë rrjet social.
Ekspertët thonë se një nga arsyet për pakënaqësi mund të jetë zilia që njeriu provon kur sheh se profili i tjetrit në facebook është më i mirë se i veti – gjithashtu duke shpenzuar shumë kohë në facebook, njeriu shkëputet nga jeta e botës reale dhe kjo e bën të ndjehet keq a i vetmuar.
Studimi nuk këshillon që njerëzit të mbyllin llogarinë në facebook, por as nuk duhet të harrojnë jetën reale, ku lidhjet dhe kontaktet e vërteta janë gjithashtu të rëndësishme.
Tensioni i gjakut, në rritje mes fëmijëve
Mendohet se tensioni i lartë i gjakut është sëmundje që zakonisht nuk lidhet me fëmijët. Për fat të keq, mjekët po shohim gjithnjë e më shumë fëmijë mes pacientëve të tyre me këtë problem.
Sipas të dhënave qeveritare, një e treta e të rriturve amerikanë kanë hipertension, ose tension të lartë gjaku. Por në një shkrim në revistën “Hypertension”, thuhet se më shumë fëmijë e adoleshentë janë duke u diagnostikuar me këtë sëmundje.
Studiuesit krahasuan dy grupe të rinjsh 8 deri 17 vjeç; një grup nga viti 1988 deri me1994 dhe grupi tjetër nga viti 1999 deri më 2008.
Në grupin e parë (1988-1994), 15.8 për qind e djemve dhe 8.2 përqind e vajzave kishin tension të lartë gjaku.
Në grupin e dytë, pak vite më vonë, shifrat u rritën; 19.2 për qind e djemve dhe 12.6 për qind e vajzave kishin tension të lartë.
Shkencëtarët gjithashtu vunë re një lidhje mes natriumit apo marrjes së kripës – që ndikoi në rritjen e treguesit të masës së trupit ose BMI - dhe rritjes së tensionit të gjakut të këtyre fëmijëve.
Autorët thonë se marrja e kripës tek fëmijët është në rritje – dhe përkundër shqetësimeve të ngritura më parë – vazhdon të rritet.
Dhe problemi kryesor është se tensioni i lartë i gjakut mund të çojë në dëmtime – shpesh të pariparueshme – të organeve për këtë grupmoshë.
XS
SM
MD
LG