Lidhje

Kongresi shqyrton autorizimin për Sirinë


Kongresi amerikan u kthye dje në punë dhe menjëherë filloi shqyrtimin e kërkesës së Presidentit Barack Obama për të autorizuar përdorimin e forcës kundër qeverisë së Presidentit sirian, Bashar al-Assad. Ligjvënësve po u bëhet presion nga njëra anë prej publikut, që ata përfaqësojnë, i cili kundërshton ndërhyrjen ushtarake, dhe nga ana tjetër prej administratës, që paralajmëron për pasoja tepër të rënda nëse përdorimi i armëve kimike mbetet pa u ndëshkuar.

Protestuesit bllokuan rrugët afër Kongresit, ndërsa ligjvënësit ktheheshin në punë. Pjesëmarrësit thanë se mesazhi i tyre kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri tërhoqi shumë vemendje.

“Ne kemi marrë një përgjigje shumë pozitive nga të gjithë: nga makinat e rastit, turistët që shëtisin nëpër rrugë, njerëzit që kanë dalë për vrap madje edhe nga policët dhe stafi i anëtarëve të Kongresit”.

Medea Benjamin tha se përdorimi i forcës është diçka e gabuar.

“Nëse presidenti ynë shqetësohet rreth gjendjes humanitare të popullit sirian, atëhere ne mund të ndihmojmë më shumë se 2 milion njerëz duke shtuar donacionet për refugjatët dhe pikërisht në këtë mënyrë dua që të përdoren taksat e mija”.

Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve janë kundër sulmeve ushtarake ndaj Sirisë. Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Harry Reid:

“Sot shumë amerikanë thonë se këto krime nuk janë puna jonë, nuk janë shqetësimi ynë. Unë nuk jam dakord. Kurdoherë që një pushtet përdor armë të tilla terrori dhe të shkatërrimit në masë kundër të pafuqishmëve, kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve”.

Senatorja demokrate, Barbara Mikulski njoftoi me drojtje mbështetjen për përdorimin e forcës në Siri.

“Nuk besoj se ndërhyrja ushtarake do të ndalë luftën civile brutale në Siri. Nuk besoj se ndërhyrja ushtarake do të ndalë Bashar al-Assadin që të jetë një diktaror i pamëshirshëm dhe brutal, madje nuk besoj se ndërhyrja ushtarake do të eliminojë armët e tij kimike, por unë besoj se një ndërhyrje e tillë do të shërbejë si shkurajim dhe do të degradojë aftësinë e tij për të sulmuar përsëri”.

Disa ligjvënës republikanë janë shprehur hapur kundër ndërhyrjes ushtarake. Senatori Dan Coats është i pavendosur, por ai kritikon Presidentin Obama.

“Jam i bindur se nëse presidenti nuk do të kishte folur rreth vijës së kuqe, ne nuk do të angazhoheshim në këtë diskutim. Në një rast të tillë, përdorimi nga ana e regjimit të al-Assadit të armëve kimike do të dënohej nga të gjithë si një shembull tjetër i brutalitetit të tij të tmerrshëm, por ne nuk do të ishim më të etur për t’u angazhuar ushtarakisht në luftën e tij civile ashtu siç ndodhi ndërsa 100 mijë sirianë u masakruan nga përdorimi i armëve më konvencionale”.

Nga ana tjetër, senatori demokrat, Richard Durbin tha se qëndrimi i ashpër i zotit Obama solli si rezultat propozimin e Rusisë që Siria të dorëzojë arsenalet e saj të armëve kimike.

“Jam i bindur se ne kemi arritur në këtë pikë të diplomacisë me propozimin e zotit Putin pasi presidenti Obama u tregua i vendosur që të mos lëkundej nga parimet e tij”.

Administrata Obama ka përpara një alternativë të vështirë për ta bindur Kongresin, thotë analisti politik, Stuart Rothenberg.

“Ata do të diskutojnë rreth një presidenti amerikan që premtoi ndërhyrje ushtarake, ndërkohë që Kongresi i thotë presidentit se nuk mund të ndërhyjë dhe se ç’do të thotë kjo për besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara në botë”.
Ende nuk dihet se kur do të votojë Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.

XS
SM
MD
LG