Lidhje

Pozicioni i Britanisë për Sirinë


Ndërsa Shtetet e Bashkuara shqyrtojnë mundësinë e sulmeve ushtarake kundër Sirisë lidhur me përdorimin e dyshuar të armëve kimike, në Britani ka shumë shqetësim mbi rolin e ardhshëm të vendit në botë pas votimit parlamentar që përjashtoi veprimet ushtarake. Në vendin që ka qënë krenar për aftësinë e tij për të "goditur mbi fuqinë," po shtohet shqetësimi se emri i Britanisë në botë po venitet.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague përsëriti mbështetjen e Britanisë për veprime ushtarake kundër Sirisë, kur priti Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry të hënën në Londër.

Por Britania nuk do të marrë pjesë vetë, pasi parlamenti votoi kundër muajin e kaluar.

Rezultati tronditës ka shkaktuar një periudhë reflektimi mes politikanëve dhe medias për të kuptuar nëse "marrëdhënia speciale" e çmuar mes Britanisë dhe Amerikës ka marrë fund. Chris Brown është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Ekonomik të Londrës.

“Ne na intereson më shumë marrëdhënia e vecantë pasi jemi partneri më i vogël. Dhe tani jemi edhe më të vegjël sesa ishim dy javë më parë; mendoj se kjo është e vërtetë.”

Që nga fillimi i shekullit, Britania ka luftuar përkrah Amerikës në Afganistan dhe Irak. Së bashku me Francën, aleatët punuan së bashku për ndërhyrjen në Libi në vitin 2011.

Britania nuk do të marrë pjesë në ndonjë sulm mbi Sirinë - por kjo nuk do të thotë se nuk do të bëjë asgjë, thotë deputeti Ben Wallace i partisë konservatore të koalicionit qeverisës.

"Ne do të dyfishojmë përpjekjet tona në mënyra të tjera - humanitare, negociata paqësore, dhe duke u përpjekur për të sjellë palët së bashku. Mendoj se Britania nuk duhet të mendojë se fuqia e saj vjen vetëm nga goditja me raketa. Ajo ka fuqi në fusha të tjera. Dhe, nga ana tjetër, Britania ka aftësi të jashtëzakonshme zbulimi. "

Sondazhet e fundit tregojnë se vetëm 1 në 5 britanikë mbështesin pjesëmarrjen për sulme kundër Sirisë. Votimi i parlamentit shpreh vullnetin demokratik të njerëzve - dhe kjo respektohet, thotë Chris Brown.

"Politika e forcës së butë të Britanisë bëri mrekullira. Mund të ketë dëmtuar imazhin e forces së Britanisë, por në aspektin e imazhit të Britanisë brenda Europës Perëndimore të paktën, nuk ka bërë ndonjë dëm të madh. "

Por Brown thotë se përtej Europës Perëndimore, shkurtimet ushtarake dhe një mungesë e dukshme e oreksit për ndërhyrje po ndikojnë në reputacionin e Britanisë.

Në takimin e G20-ës në Shën Petersburg të premten, media njoftoi se një zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin e minimizoi rolin e Britanisë, duke e quajtur "një ishull i vogël." Zëdhënësi mohoi ta kishte bërë deklaratën - por kryeministri britanik David Cameron ndërmorri një mbrojtje pasionante.

"Po, ne jemi një ishull i vogël, në fakt një grup i vogël ishujsh. Por le të më sjell dikush si shembull një vend me një histori më krenare, me një zemër më të madhe, dhe me një qëndrueshmëri më të madh. "

Por zoti Cameron – dhe kryeministrat e ardhshëm - do ta kenë gjithnjë e më të vështirë për të marrë mbështetje në Parlament, thotë zoti Brown.

"U vendos një precedent. Dhe unë mendoj se kjo do ta bëjë shumë të vështirë për të marrë mbështetjen e shumicës së parlamentit, në të ardhmen, për këtë lloj veprimi. "
Me veprimin ushtarak jashtë tryezës, Britania thotë se është e vendosur të marrë rolin udhëheqës përsa u përket ndihmave humanitare - dhe ka premtuar të rrisë shpenzimet në Siri në 628 milionë dollarë.

XS
SM
MD
LG