Lidhje

Opozita siriane hedh poshtë planin ndërkombëtar


Kreu i grupit opozitar, Ushtria Siria e Lirë thotë se plani i ofruar nga Rusia për të pastruar Sirinë nga armët e saj kimike nuk do të zgjidhë konfliktin në vend. Komandanti i kryengritësve i bëri komentet dje në Stamboll, ndërkohë që vazhdojnë luftime të ashpra pranë Damaskut.

Trupat e qeverisë siriane goditën lagjet e kontrolluara nga kryengritësit në rrethinat e Damaskut me artileri nga toka si dhe predha nga ajri. Ofensiva qeveritare përkoi me negociatat amerikano-ruse në Gjenevë që rezultuan dje në një plan veprimi për eliminimin e stoqeve siriane të armëve kimike.

Në Stamboll, komandanti i kryengritësve Gjenerali Selim Idriss dënoi planin, duke thënë se Rusia nuk është neutrale në këtë konflikt.

Gjenerali Idriss thotë se opozita e hedh poshtë në mënyrë kategorike propozimin, pasi nuk ka besim në regjimin e Assadit apo tek Rusia, e cila ndihmon regjimin sirian të vrasë shtetasit e saj. Ai tha se nisma është një përpjekje për të fituar kohë dhe për të gjetur një rrugëdalje për regjimin e Assadit. Ai shton se nisma nuk ofron asgjë për opozitën, e cila do të vazhdojë luftën.

Ndërkaq, kanali televiziv i qeverisë siriane al-Ikbariya akuzoi Turqinë fqinje se ka furnizuar kryengritësit me armë kimike. Në transmetimet e rrjetit televiziv ngrihet pyetja nëse Uashingtoni është i gatshëm “të ndëshkojë aleatin e tij Turqinë” në kuadër të planit kundër armëve kimike. Në imazhet e lajmeve, stacioni shtetëror sirian tregon pamje të atyre që thotë se janë thasë me kimikate që mbajnë markën “Prodhim i Arabisë Saudite”.

Megjithatë Gjenerali Idriss këmbëngul se forcat e tij nuk kanë armë kimike në territorin e kontrolluar nga kryengritësit dhe shton se nuk do të pengojnë vëzhguesit e OKB-së nëse duan të futen në zonat e kontrolluara nga opozita në kuadër të misionit të tyre.

Si Gjenerali Idriss ashtu edhe figura të tjera të opozitës po akuzojnë qeverinë siriane se ka lëvizur fshehurazi elementë të arsenalit të saj të armëve kimike për në Liban dhe Irak. Gazeta The Wall Street Journal njoftoi të premten se regjimi i Assadit e ka shpërndarë arsenalin në 50 pika të ndryshme në të gjithë vendin.

Burime të opozitës akuzojnë forcat qeveritare se kanë bombarduar pozicionet e kryengritësve pranë qytetit Daraa për të penguar përparimin e tyre. Njoftohet gjithashtu se avionët e forcave qeveritare bombarduan dje pozicionet e kryengritësve në qytetin verior të Saraqeb-it pranë Idlibit.
XS
SM
MD
LG