Lidhje

Fatmir Limaj i pafajshëm për krime lufte


Një gjykatë e drejtuar nga EULEX-i në Prishtinë shpalli të pafajshëm deputetin Limaj dhe 9 ish bashkëluftëtarë të tij nga akuzat për krime lufte

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë ish bashkëluftëtarë të tij, u shpallën të pafajshëm nga akuzat për krime lufte.

Të gjitha ata ngarkoheshin se nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të atij viti, kanë kryer krime kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër paraburgimi të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.



Në muajin maj të vitit 2012 zoti Limaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat, që mbështeteshin kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare, Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X, deri në muajin shtator të vitit 2011, kur kreu vetëvrasje në Gjermani.

Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë.

Më 21 mars të vitit 2012, pohimet e dëshmitarit qenë shpallur të papranueshme nga gjykata, por në vjeshtën e vitit të kaluar, çështja u kthye në rigjykim.

Sot trupi gjykues vendosi që dëshmia e Agim Zogajt, lidhur me disa çështje të rëndësishme në fjalë, veçanërisht identiteti i personave për të cilët ai pohon se i kanë kryer veprat që u ngarkohen, nuk është vërtetuar me dëshmi të besueshme dhe të pavarura dhe ishte, në fakt, në mospërputhje dhe e kundërshtuar nga dëshmitë tjera.

Në përgjithësi, trupi gjykues vlerësoi se, në aspektet e rëndësishme materiale, dëshmia e Agim Zogajt ishte tërësisht e pabesueshme dhe se do të ishte e pasigurt që të bazoheshin në të për t’i dënuar të pandehurit për veprat nga aktakuza”, thuhet në aktgjykimin e shpallur sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në një komunikatë të për opinion thuhet se trupi gjykues i vlerëson si të vërteta faktet se “në vitin 1999, UÇK-ja e kishte një qendër ndalimi në fshatin Kleçkë, ku disa të ndaluar ishin keqtrajtuar. Dragoljub Tanaskoviç, Zharko Filipoviç, Zhivota Todoroviç, Dragan Vuçetiç dhe Bojan Cvetkoviç si dhe Veljko Markoviç dhe Nebojsha Gjuriçiç, ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në dy lokacione në fshatin Kleçkë. Arben Avdyli, për të cilin Agim Zogaj kishte deklaruar se ishte vrarë gjithashtu në Kleçkë, zyrtarisht llogaritet si i zhdukur”, thuhet në komunikatë.

Pas shpalljes së vendimit të sotëm, zoti Limaj falënderoi të gjithë ata që siç u shpreh ai, kanë pasur besim në luftën çlirimtare dhe në drejtësinë.
Fatmir Limaj. pak pas lirimit nga akuzat për krime lufte

Fatmir Limaj. pak pas lirimit nga akuzat për krime lufte


Pas një procesi të gjatë shterues, trupit gjykues i shpreh mirënjohje që mbi bazën e provave dhe fakteve erdhi deri te verdikti që shpalli të pafajshëm gjithë bashkëluftëtarët dhe mua. Unë nuk kam çka them, ju mediat shikoni çka kam thënë para tre vjet e gjysmë. Gjykata edhe një herë e vërtetoi atë që kam thënë”, tha zoti Limaj.

Ndërkaq, kryeprokurori i prokurorisë së posaçme të Kosovës nga EULEX-i, Jonathan Ratel, nëpërmjet një komunikate thekson se “prokuroria e pranon aktgjykimin e sotëm të gjykatës”.

“Gjykata e ka dhënë vendimin e saj në këtë ndjekje shumë të vështirë dhe të gjatë. Ne e respektojmë vendimin e gjykatës. Ne e dinim që nga fillimi se kjo do të jetë një ndjekje e vështirë. Megjithatë, drejtësia kërkon që edhe ndjekjet e vështira penale të shkojnë përpara, në fakt ajo e kërkon atë. Ne do ta shqyrtojë aktgjykimin me kujdes dhe do t’i marrin parasysh të drejtat tona për tu ankuar. Në fund do të doja të konstatoj se ky rast nuk ishte asnjëherë një ndjekje e UÇK-së, ajo ishte një ndjekje e individëve të caktuar”, thuhet në komunikatë.

Ishte kjo hera e dytë që zoti Limaj, i cili gjatë luftës njihej me emrin komandant Çeliku, përballej me akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm zotin Limaj, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Vendimi i sotëm, nuk u jep fund megjithatë përballjeve të zotit Limaj me drejtësinë. Në qershor të këtij viti, gjykata themelore, konfirmoi shumicën e akuzave kundër zotit Limaj dhe tre ish bashkëpunëtorëve të tij nën dyshimet për korrupsion, të cilat lidhen me kohën kur ai ishte ministër i transporteve dhe telekomunikacionit në qeverinë e kryeministrit Hashim Thaçi.

Mirëpritet lirimi i zotit Limaj

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përshëndeti vendimin për shpalljen të pafajshëm të ish komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Në një komunikatë për opinion thuhet se “me këtë proces gjyqësor u dëshmua edhe një herë pastërtia e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës, që nga fillimi i këtij procesi ndaj komandantit Fatmir Limaj dhe pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së ka besuar fuqishëm në pafajësinë e tyre dhe në drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e përshëndeti lirimin e zotit Limaj duke theksuar se ai dhe partia e tij “kanë besuar që nga fillimi në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në pafajësinë e të akuzuarve në këtë rast, ashtu siç kanë besuar vazhdimisht në drejtësinë dhe vendimin e drejtë të gjykatës”.

Zoti Haradinaj konsideron se “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbetet kapitull i pastër, human dhe krejtësisht i drejtë, ashtu siç ishin të pastërta, civilizuese, të drejta dhe të qarta edhe vetë motivi, vizioni dhe qëllimi i këtij projekti vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG