Lidhje

Nishani komenton për heqjen e fotos


Nishani: "Qytetarët sot kanë nevojë për bashkim, jo për përçarje, kanë nevojë për kontribute, kanë nevojë për punë, për zhvillim ekonomik".

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani tha sot se pret nga kryeministri Rama të bëjë punët e qeverisjes së vendit dhe jo gjeste, si ai i heqjes së fotos së tij nga institucioni. Presidenti Nishani tha se është e padëgjuar dhe jo serioze që një kryeministër të nisë punën me heqjen e fotos së presidentit të vet, duke theksuar se Kushtetuta do të mbrohet në çdo rast.

Sforcimet për ta vendosur Presidentin e Republikës përballë si kundërshtar politik nuk janë të shëndetshme për demokracinë. Unë mendoj se qytetarët shqiptarë sot kanë nevojë për bashkim, jo për përçarje, kanë nevojë për kontribute, kanë nevojë për punë, kanë nevojë për zhvillim ekonomik. Presidenti i Republikës do të jetë gjithmonë në shërbim të unitetit të popullit, do të jetë gjithmonë në shërbim të mbrojtjes së Kushtetutës. Për fat të mirë tashmë Shqipëria i ka të konsoliduara mekanizmat e mbrojtjes dhe të pacenueshmërisë së Kushtetutës së vendit dhe të ligjeve” tha zoti Nishani.

Partia Demokratike e quajti një shkelje flagrante dhe përçarëse të Kushtetutës, dhe të etikës politike vendimin e qeverisë Rama për të zëvendësuar foton e presidentit të Republikës me atë të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali. Kryetari i parlamentit Ilir Meta deklaroi sot se ai nuk e kish gjetur në zyrë nga paraardhësja Jozefina Topalli foton e presidentit Nishani, dhe se do ta vendoste atë krahas fotos së Ismail Qemalit.

Me fotot e presidentëve ka patur edhe më parë keqkuptime. Disa institucione të larta shtetërore gjatë qeverisë Berisha hoqën foton presidentit Bamir Topi dy vjet më parë, pas mospajtimeve lidhur me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG