Lidhje

Kongresi i përçarë lidhur me buxhetin federal

  • Michael Bowman

Mbeten më pak se dy javë nga momenti kur qeveria federale rrezikon të mbyllet, nëse udhëheqësit politikë në Kongres nuk arrijnë marrëveshje. Por nga të dyja anët e spektrit politik dëgjohen komente sfiduese dhe asnjëra palë nuk ka shprehur gatishmërinë për kompromis në mënyrë që të zgjidhet problemi i financimit të qeverisë federale. Ballafaqimi i fundit politik ka në qendër fondet për programin e Presidentit amerikan për kujdesin shëndetësor.

Kriza, me pak fjalë, mund të shpjegohet në këtë mënyrë: një grup ligjvënësish republikanë nuk pranojnë t’i japin qeverisë federale autoritetin për të financuar reformat në kujdesin shëndetësor. Demokratët nuk pranojnë të analizojnë asnjë projekt-ligj për shpenzimet që përjashton reformat në shëndetësi.

Udhëheqësit e të dyja Dhomave shfaqën përsëri këmbënguljen në qëndrimet e tyre dje. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner njoftoi se Dhoma do të votojë sot për të miratuar fondet për funksionimin e qeverisë federale, pa financim për programin e kujdesit shëndetësor.

"Kur është fjala tek ligji për kujdesin shëndetësor, debatet në Dhomën e Përfaqësuesve ka marrë fund. Qëndrimi ynë është i qartë: ligji është një katastrofë dhe do të rrisë konston për shëndetësinë. Do të mbyllë vende pune, prandaj duhet të eliminohet”.

Nëse miratohet, ligji pa fonde për programin e shëndetësisë do të kalojë nga Dhoma e Përfaqësuesve në Senat ku kryetari Harry Reid bëri këto komente:

"Nëse na vjen një projekt-ligj pa fonde për reformat në shëndetësi, ai do të marrë fund. Eshtë një harxhim i kotë kohe. Ia kam thënë këtë edhe zotit Boehner javën e kaluar”.

Senati pritet të miratojë një projekt-ligj që mban në fuqi fondet për programin e administratës Obama në shëndetësi. Nëse të dyja Dhomat nuk miratojnë një dokument identik brenda këtij muaji, do të fillojë një mbyllje e kufizuar e qeverisë federale.

Presidenti Obama dhe ligjvënësit demokratë thonë se nuk do të pranojnë të diskutojnë reformat në shëndetësi apo të vënë në diskutim rritjen e nivelit tavan të borxhit. Qeveria federale nuk do të ketë më mundësi për të marrë borxh pas pak javësh. Senatori Charles Schumer tha se demokratët janë të bashkuar dhe do t’i përmbahen qëndrimit të tyre.

"Nuk do të lëvizim. Askush nuk duhet ta mendojë se do të tërhiqemi”.

Por Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Boehner tha se nevojiten negociata dhe se qëndrimi i Presidentit Obama lidhur me problemet fiskale është i pajustifikueshëm, në një kohë kur ka treguar vullnetin për marrëveshje me udhëheqës të huaj:

"Presidenti është i gatshëm të negociojë me Vladimir Putinin, por nuk pranon të hyjë në negociata me Kongresin për një plan që synon të zgjidhë problemin e deficitit që kërcënon vendin”.

Ligjvënësit demokratë thonë se duan të gjejnë zgjidhje për problemet fiskale të vendi, por shtojnë se mbyllja e qeverisë apo mospagimi i kësteve të borxhit nuk duhet të shfrytëzohen për të bërë presion. Udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, shprehet:

"Kësaj i thonë të luash me zjarrin. Këta individë po ndezin zjarre kur përpiqen të përdorin tavanin e borxhit për ambicje politike”.

Programi i Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor synon të rrisë numrin e amerikanëve që kanë siguracione shëndetësore dhe të ulë koston e kujdesit shëndetësor në përgjithësi. Ligji u miratua në vitin 2010, kur demokratët kontrollonin të dyja Dhomat e Kongresit. Dispozita të rëndësishme të ligjit hyjnë në fuqi muajin e ardhshëm. Shumë republikanë e konsiderojnë ligjin për kujdesin shëndetësor si një zgjerim të rrezikshëm të autoritetit qeveritar dhe mendojnë se ky është shansi i fundit për ta sabotuar këtë ligj.
XS
SM
MD
LG