Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi më 20 shtator?

  • Astrit Lulushi

480 pes. - Grekët mundin persët në betejën detare të Salaminës, ishull pranë Athinës. Kjo betejë shënoi pikën kulmore të pushtimit persian. Një vit më pas, grekët hidhen në ofensivë, mundin persët në betejën e Plateas, duke i dhënë fund pushtimit.

1187 - Saladini fillon rrethimin e Jeruzalemit që zgjati deri më 2 tetor kur qyteti u dorëzua dhe banorët u lejuan të largoheshin kundrejt një pagese. Disfata e Jeruzalemit sinjalizoi fundin e Mbretërisë së parë të Jeruzalemit. Evropa u përgjigj në vitin 1189 me Kryqezatën e tretë të udhëhequr nga Richard Zemërluani, Filip Augustus, dhe Frederik Barbarossa, secili me ushtritë e veta.

1519 - Ferdinand Magellani fillon lundrimin rreth globit. Ai kishte nën komandë një flotë prej 5 anijesh (Trinidad, San Antonio, Concepcion, Santiago, Victoria) dhe rreth 240 marinarë. Magelani ishte portugez, por i shërbeu mbretit të Spanjës në kërkim të një rruge detare drejt perëndimit për në ishujt indonezianë të pasur me erëza e bimë ekzotike. Magelani ishte i pari që lundroi nga Oqeani Atlantik në Oqeanin Paqësor (i quajtur "deti paqësor" nga vetë ai), duke kaluar nëpër Ngushticën që u quajt “e Magelanit”. Ekspedita arriti të kryejë lundrimin e parë rreth tokës, megjithëse nga 5 anijet, vetëm "Viktoria" me disa marinarë në bord mundi të mbërrinte në brigjet spanjolle. Madje, as vetë Magelani nuk arriti t'a përfundonte lundrimin - ai mbeti i vrarë gjatë një beteje në Filipine.


1685 - Në Padova të Italisë del nga shtypi libri “Çeta e profetëve” i Pjetër Bogdanit, vepër teologjike-filozofike, edhe letrare shqipe. Pjeter Bogdani - kryeipeshkëv, teolog dhe filozof - lindi me 1625? në Gur te Hasit (midis Kukesit dhe Prizrenit) dhe vdiq me 1689 në Prishtinë. "Çeta e profetëve" cilësohet jo vetem si libri i parë i prozës origjinale shqipe, por edhe si një nga monumentet e gjuhës për konceptet që artikulon duke u shtuar shqiptarëve të asaj kohe krenarinë për pasurinë shprehëse të gjuhës së tyre. Zhdërvjelltesia e të shprehurit të Bogdanit tregon gjithashtu se gjuha shqipe është shumë më e vjeter sesa dolumentohet - prandaj Pjeter Bogdani edhe është quajtur përfaqësues i hershëm i lëvizjes së Rilindjes Kombëtare. Ja si shkruan ai në parathënie për lexuesin: "...Të lutemi pra, litari em i urtë, të më ndijeçë në gjeç fjalëzë, që të trazon veshëtë. Përse as dielli pa hije as hëna pa mjegullore mbi faqe nuk anshtë..." Rreth Pjeter Bogdanit jane kryer shumë studime ku veçojmë librin "Vepra e Bogdanit 1675–1685" nga doktor Ibrahim Rugova më 1982, atëhere studiues e kritik i njohur para se të bëhej i famshëm edhe si politikan dhe shtet-formues.

1848 - U themelua në Filadelfia Shoqata Amerikane për Avancimin e Shkencës. Fillimisht me vetëm 87 anëtarë, sot, kjo shoqatë është organizata më i madhe dhe më e njohur në botën shkencore; ka rreth 127-mijë anëtarë, dhe është botuesja e revistës së njohur Science me një tirazh javor prej 140 mijë kopjesh.

1870 - Trupat italiane marin kontrollin e Shteteve të Papës, duke çuar në bashkimin e Italisë.

1881 - Nënpresidenti Chester A. Arthur përurohet si Presidenti i 21-të i Shteteve të Bashkuara pas vrasjes së James Garfield në stacionin hekurudhor Baltimore - Potomak afër Uashingtonit. Garfield u qëllua nga Charles J. Guiteau më pak se katër muaj pasi ishte zgjedhur President. Garfield vdiq më 19 shtator, duke u bërë i dyti mes katër Presidentëve të vrarë; pas Abraham Linkolnit, dhe duke i paraprirë William McKinlit dhe John F. Kennedit. Garfield jetoi më gjatë pas të shtënave,11 javë, në krahasim me presidentët e tjerë. Lincolni dhe Kennedi vdiqën ditën që u qëlluan, ndërsa McKinley vdiq një javë pas të shtënave.

1946 - Hapet festivali vjetor i filmit në Kanë. Festivali ishte planifikuar të fillonte në vitin 1939, por shpërthimi i luftës së dytë botërore detyroi anulimin e përurimit të kësaj ngjarjeje. Festivali i parë ndërkombëtar i filmit u mbajt në Venecia në vitin 1932. Deri në vitin 1938 ky festival ishte kthyer në vegël propagande fashiste e naziste, me Musolinin dhe Hitlerin që diktonin përzgjedhjen e filmave dhe i ndanin çmimet mes vendeve të tyre. E zemeruar nga kjo, Franca vendosi te organizoje një festival alternativ filmi, atë të Kanës në rivierën franceze.

1909 - Parlamenti britanik miraton Aktin për krijimin e shtetit të Afrikës së Jugut nga bashkimi i kolonive britanike; Kepi i Shpresës së Mirë, Natal, Orange River, dhe Transvaal.

1955 - Në Tiranë, Zëri i Popullit, duke cituar Gazetën Zyrtare, shpall planet për riatdhesimin e te gjithë italianëve që mbaheshin në burgje politike, në kampe të punës së detyruar ose në fshatra internimi në Shqipëri. Mes tyre ishte edhe prifti jezuit At Giacomo Gardini, i cili u transportua nga një kampi i punës së detyruar për në portin e Durrësit. Natën e 24 shtatorit, ish-të burgosurit u nisën me anije për në Itali. Pak vite më vonë, At Gardini botoi edhe një libër me deshmi mbi jetën në burgjet dhe kampet e punës së detyruar ku njerëzit mbaheshin në kushte çnjerëzore.

2001 - Në një fjalim para dy dhomave të Kongresit dhe drejtuar popullit amerikan, presidenti George W. Bush shpall luftën kundër terrorizmit.

2011 - Shtetet e Bashkuara shfuqizojnë politikën "Mos Pyet, Mos thuaj" duke lejuar homoseksualët për të shërbyer hapur për herë të parë në ushtri.

Mendim i ditës
"Ne do të donim për të jetuar si dikur, por historia nuk n'a e lejon këtë."
John F. Kennedy
XS
SM
MD
LG