Lidhje

Greqia premton masa ndaj Agimit të Artë


Greqia është angazhuar që të marrë masa ndaj partisë së ekstremit të djathtë, Agimi i Artë pas akuzave ndaj kësaj force se kishte orkestruar vrasjen e një aktivisti të majtë. Agimi i Artë mohon të ketë luajtur ndonjë rol. Kjo parti akuzohet gjithashtu për dhjetra sulme ndaj emigrantëve dhe kundërshtarëve. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, analistët e shohin rritjen e mbështetjes për këtë parti si një simptomë të të ashtuquajturës krizë të demokracisë në Greqi.

Në Athinë dhe qytete të tjera greke ka pasur demonstrata të përditshme që kur u vra Pavlos Fissas të martën e kaluar.

Aktivisti dhe këngëtari 34 vjeçar i muzikës rap, u vra nga goditje me thika në Pire, pranë Athinës.

I dyshuari kryesor është një person që ka deklaruar mbështetjen e Agimit të Artë, megjithëse partia këmbëngul se ai nuk është anëtar i saj.

Kryeministri grek Antonis Samaras paralajmëroi të enjten.

“Kjo qeveri është e vendosur që të mos lejojë pasardhësit e nazistëve që të helmojnë jetën tonë, të kryejnë krime, të terrorizojnë dhe të minojnë themelet e vendit që është djepi i demokracisë”.

Udhëheqësi i Agimit të Artë, Nikolaos Michaloliakos dha një deklaratë ku i kundërshtonte me forcë akuzat.
“Agimi i Artë ka thënë se dënon këtë ngjarje tragjike dhe të tjera. Partia jonë dënon çdo akt dhune. Por kjo nuk mjafton për inkuizicionin e shenjtë të Greqisë në vitin 2013, të ndërmarrë nga kjo qeveri. Ata duhet ta dinë se nuk do të kenë sukses në planet e tyre”.

Policia greke ka kërkuar autorizim që të kontrollojë tabulatet telefonike të ligjvënësve të Agimit të Artë në natën e vrasjes. Media lokale thotë se prokurorët po hetojnë 32 akuza për sulme të dhunshme nga anëtarët e partisë.

Autoritetet po përdorin legjislacionin ekzistues për të marrë masa ndaj Agimit të Artë në vend që të përpiqen të ndalojnë partinë, thotë Dionyssis Dimitrakopoulos i Kolegjit Birkbeck të Universitetit të Londrës.
“Së pari, duhet përdorur legjislacioni penal, pastaj ai për kundërterrorizmin që ekziston në Greqi. Agimi i Artë, mesa shoh unë vepron si bandë kriminale. Dhe ndoshta mund të ketë argumenta të mjaftueshëm se në fakt ky është një grup terrorist”.

Agimi i Artë shkaktoi befasi kur mori 7 për qind të votave në vitin 2012, duke u shfaqur si partia e tretë më e madhe në vend. Fushatat e kësaj partie kanë një qëndrim të ethshëm kundër emigracionit.
“Ka një farë mbështetjeje për këtë grup neonazist, edhe në pjesë të Greqisë ku nuk ka problem direkt me kriminalitetin, ose numër të madh imigrantësh të paligjshëm”, thotë zoti Dimitrakopoulos.

Shpjegimi tradicional është se në kohë krizash ekonomike dhe papunësie në rritje, grekët po i kthehen politikës ekstreme. Por zoti Dimitrakopoulos thotë se ka një arsye edhe më të thellë, që i ka rrënjët tek përgjigjia politike ndaj krizës së borxheve.

“Sistemi politik grek nuk gëzon më legjitimitetin që ka pasur dhe që duhet të ketë. Kështuqë, grekët të paktën në periudhën mes zgjedhjeve e kanë të lehtë të thonë se do të votonin për këtë parti”.


Në janar, Greqia merr kryesinë e radhës të Këshillit Evropian dhe analistët thonë se qeveria do me çdo kusht të tregojë se është në gjendje të luftojë ekstremizmin.
XS
SM
MD
LG