Lidhje

Kongresi gati për betejën mbi buxhetin


Ndërsa akuzat nuk pushojnë mes dy partive politike, Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë po ecin drejt një ballafaqimi të ri, të ngjashëm me disa përplasje të mëparshme që gati kanë çuar në ndërprerjen e pjesëshme të funksioneve të përditshme të qeverisë federale. Dhe këtë herë kjo mund të ndodhë, ndërsa mbaron afati për autorizimin e shpenzimeve buxhetore. Analistët thonë se përsëritja e një loje të tillë politike vështirë se ndodh në demokraci të tjera të botës.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve festuan të premten e kaluar miratimin e një projekt-ligji mbi shpenzimet qeveritare, që nuk përfshin fonde për ligjin e kujdesit shëndetsor.
Demokratët e zemëruar në Dhomën e Përfaqësuesve po akuzojnë republikanët se kërcënojnë mbylljen e qeverisë në vend që të pranojnë realitetin.

Në qendër të debatit është mosmarrëveshja lidhur me rolin e qeverisë. Grupimi Tea Party, një fraksion i Partisë Republikane, i cili kërkon kufizimin e shpenzimeve qeveritare, mori hov para 4 vjetësh duke kundërshtuar reformën e Presidentit Obama të sistemit shëndetësor.

Pasi zoti Obama arriti të nënshkruante në ligj reformën e kujdesit shëndetsor që përfshin sigurime për miliona amerikanë, republikanët fituan përsëri shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve me rreth 30 anëtarë të grupimit Tea Party, të cilët thonë se janë të gatshëm të rrezikojnë për hir të bindjeve të tyre. Ja si shprehet eksperti i çështjeve buxhetore, Stan Collender:
"Kemi të bëjmë me marrjen nën kontroll të Partisë Republikane nga një fraksion ekstrem, që nuk ekzistonte para 10 vjetësh".

Anëtarët e këtij grupimi po përpiqen të vënë në vend dëshirat e votuesve në distriktet e tyre duke e çuar Kongresin në buzë të greminës, thotë Steve Bittle i Universitetit George Washington.
"Shumë prej anëtarëve më të rebeluar, këta anëtarë të grupit Tea Party, përfaqësojnë distrikte me shumicë republikane. Ata nuk i shqetëson sfida e demokratëve. Ata janë të shqetësuar rreth një sfide nga krahu i djashtë i partisë së tyre".

Në një drekë të shtruar për konservatorët, republikani Raul Labrador fajësoi për rrezikun e mbylljes së qeverisë udhëheqësin e shumicës demokrate në Senat, Harry Reid dhe Presidentin Obama.
"Nëse Harry Reid dhe Presidenti duan të ndërpresin punën e qeverisë sepse ne thjesht po kërkojmë shtyrjen e zbatimit të ligjit për kujdesin shëndetsor, atëhere unë shpresoj që kjo të shpallet si e tillë dhe jo të fajësohemi ne për këtë".

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mark Meadows i tha Zërit të Amerikës se amerikanët nuk duhet të shqetësohen.
"Ne kemi përjetuar të njëjtën situatë 17 herë në historinë tonë. Dhe të gjitha këto ndërprerje të funksioneve të qeverisë kanë qenë të pjesëshme. Më e gjata ishte 21 ditë dhe askush nuk mbeti pa u paguar".

Analistët thonë se është vështirë të imagjinohet që demokraci të tjera të mund të mbijetojnë beteja të tilla rutinë për sa i përket shpenzimeve qeveritare.
"Në sistemet parlamentare, një situatë e tillë do të përfundonte në mbajtjen e zgjedhjeve të reja ose në një votë mosbesimi për kryeministrin".

Hapi i ardhshëm në gjithë këtë dramë të Kongresit amerikan do të ndërmerret në Senat, ku vemendja është përqëndruar tek udhëheqësi i shumicës demokrate, Harry Reid për të parë se çfarë do të bëjë ai me projekt-ligjin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve. Zoti Reid ka thënë tashmë se Senati nuk do të miratojë një projekt-ligj, që nuk financon ligjin e kujdesit shëndetsor.
XS
SM
MD
LG