Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi më 30 shtator?

  • Astrit Lulushi

Saint Jerome

Saint Jerome

420 - Vdes Shën Jeronimi -, prift, rrëfyes, teolog, autor, historian, përkthyes. Ai ishte ilir nga një qytet në kufi të Dalmacisë me Pannonian, Hyeronim është mbiemri i tij që do të thotë "emër hyjnor". Lindur më 347, Hyeronimi u bë i famshëm për përkthimin e Biblës në latinishten e kohës në mënyrë që të mund të lexohej e kuptohej lehtë nga të gjithë - ndërsa komentet e tij rreth Biblës Hebraike, dallohen për mendim dhe interpretim të veçantë - dhe lista e shkrimeve që ai la është shumë e gjatë. Hyeronimi njihet si Shënjtor nga Kisha Katolike, Kisha Ortodokse, Kisha Luterane dhe Kisha Anglikane. Si student në Romë, ky ilir i sapo ardhur nga provinca, u dha pas jetës sipërfaqësore, si shumë të rinj që priren natyrshëm drejt saj. Për Hyeronimin, episodet e një jete të tillë - deri të shthurur - u pasuan nga kriza të tmerrshme pendimi. Për të qetësuar ndërgjegjen, ai filloi të vizitonte çdo të dielë varret e martirëve dhe apostujve të krishterë në katakombet e Romës. Kjo përvojë, thotë ai, do t'a bënte të kuptonte tmerret e ferrit: "Shpesh e gjeja veten duke hyrë në këto labirinthe gërmuar thellë në tokë, me varre hapur e kufoma rreshtuar në të dy anë; çdo gjë dukej e zymtë, e errët , si për të përmbushur fjalët e Psalmit: 'Le të zbresin të gjallët në Ferr'…Dhe aty m'u kujtua vargu i Virgjilit; 'Tmerr kudo në shpirt, dhe heshtje e vetë-trembur'". Për nder të Shën Hyeronimit, 30 shtatori është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Përkthimit edhe për vlerat krijuese që mbart.

1659 - Mbytet anija për të cilën shkrimtari Daniel Defoe thotë se u frymëzua për krijimin e personazhit imagjinar Robinson Krusoe. Ashtu si anija, edhe Defoe ishte i mbytur, në borxhe - i burgosur për mospagimin e tyre - dhe suksesi i romanit Robinson Krusoe e ndihmoi të dilte nga varfëria.

1791 - Shfaqet në Vienë të Austrisë Fyelli Magjik, opera e parë e Volfang Amadeo Mozartit. Ai solli edhe një formë të re operistike ku perfshihet kënga dhe dialogu. Mozarti e kompozoi operan duke mbajtur parasysh aftësitë e këngëtarëve të destinuar për premierën, e cila përfshinte kengetarë virtuozë dhe amatorë. Në shfaqen e parë të Flautit ose Fyellit Magjik, Mozarti dirigjoi orkestrën, ndërkohë që roli i Mbretëreshës së Natës interpretohej nga kunata e tij, Josepha Hofer. Opera festoi shfaqjen e saj të 100-të në nëntor 1792. Mozarti nuk pati kënaqësinë t'a përjetonte këtë moment historik - ai kishte vdekur thuajse 1 vit më parë. Fyelli Magjik ka qenë gjithmonë një nga veprat më të dashura në repertorin e operës, dhe është aktualisht opera e katërt më e shfaqur në botë. Fyelli Magjik, thonë kritikët, është ndikuar nga filozofia e Iluminizmit; dhe mund të konsiderohet si histori e edukimit të njerëzimit; i cili del nga kaosi, kalon nëpër bestytni për të arritur tek arsyeja me anë të gjykimit; dhe se mëkati a gabimi ndodh për t'a bërë njeriun të vdekshëm, ndërsa Zoti pret.

1791 - Në Paris, Shpërbëhet Asambleja Kombëtare Kushtetuese dhe parizianët e shpallin Makimilien Robespierin si atdhetarin francez më të pastër, ose "të pakorruptueshmin". Robespieri mbetet një figurë e diskutueshme edhe sot. Ai nxiti terrorin dhe vdekjen e shokëve të tij të revolucionit, si masë për të krijuar një Republikë Virtyti. Por me idealet e tij, thonë historianët, ai shkoi përtej nevojave dhe dëshirave të popullit, pasi duke u preokupuar së tepërmi në mposhtjen borgjezisë, ai u bë kërcënim për atë që vetë kishte kërkuar të siguronte, dhe rezultati ishte shkatërrimi i tij. Më 28 korrik 1794, Robespieri u ekzekutua pa gjyq në Gijotinën që vetë e kishte miratuar - dhe para publikut në Paris në Sheshin e Revolucionit të tij.

1882 - Në lumin Fox në Appleton, Wisconsin, përurohet hidrocentrali i parë në botë, i projektuar nga Thomas Edisoni.

1924 - Këshilli i Lidhjes së Kombeve i kërkon Greqisë të përmbahet në veprimet e saj për dëbimin e popullsisë çame, pasi mund të ndikonin në fatin e pakicës greke në Shqipëri. Vendimi i Lidhjes së Kombeve erdhi pas kërcënimive nga ana e Shqipërisë për të dëbuar pakicën e saj greke si kundërpërgjigje ndaj dëbimit të çamëve nga Greqia.

1955 - Ylli i kinematografise James Dean vdes në një aksident rrugor ne moshës 24-vjecare. Dean, aktor amerikan, karriera e të cilit zgjati vetëm 4 vjet, është një ikonë kulturore e adoleshentëve të zhgënjyer, siç shpreh edhe titulli i filmit të tij më të njohur, "Rebel pa shkak".

1986 - Mordechai Vanunu, i cili zbuloi hollësitë e programit të fshehtë bërthamor të Izraelit rrëmbehet në Romë të Italisë nga agjentë të sigurimit izraelit Mossad, pasi e droguan atë. Mordechai Vanunu, i njohur edhe si John Crossman, u lirua me kusht më 2004, pas 18 vjetësh në burgjet izraelite. Në inervistat e tij ai tha se dënimi do të kishte qenë më i butë nëse nuk do të ishte konvertuar nga juadizmi në të krishterë. Për shkelje të kushteve të lirimit, Vanunu u dënua përsëri, me disa muaj burgim më 2007 dhe 2010. Në botë, ai njihet si nxjerrës i të fshehtave të qeverisë, ndërsa në Izraeli si tradhtar. Daniel Ellsberg, i njohur për publikimin e "Letrave sekrete të Pentagonit" më 1971 lidhur me luftën në Vietnam, e ka quajtur Vanunun si heroin e shquar të epokës bërthamore.

Mendim i ditës
"Miqësia që mund të prishet kurrë nuk ka qenë e vërtetë."
Shën Jeronim
XS
SM
MD
LG